Policia e Tiranës ka filluar hetimet për dy shtetasit e mitur, B.B dhe D.P të cilët me anë të një adrese false në Instagram mashtronin shtetas të ndryshëm, me pretendimin se do t’u ofronin shërbime me natyrë seksuale, kundrejt pagesës.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi”, për shtetasit e mitur D. B. dhe D. P., banues në Tiranë, pasi kanë krijuar adresa false, me foto vajzash, në rrjetin social Instagram, dhe nëpërmjet tyre kanë mashtruar shtetas të ndryshëm, me pretendimin se do t’u ofronin shërbime me natyrë seksuale, kundrejt pagesës. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”
Rasti u zbulua nga abcnews.al dy ditë më parë.
Dy të miturit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin hapur një adresë false në Instagram me emrin Ana Shehu.
Të miturit kontaktonin “viktimat” dhe linin takim me ta. Gjatë komunikimit, të miturit i jepnin adresën e apartamentit ku do të takoheshin dhe i kërkonin 150 euro. Por mënyra që ata kishin zgjedhur për të marrë lekët është “goxha interesante.”
Adoleshentët i kërkonin “viktimave” që kur të futeshin në pallat, në hyrje të linin një zarf me shumën prej 150 eurosh.
Ky ishte kushti që i vendosnin klientëve për tu ngjitur më pas në apartamentin e “Anës” për të zhvilluar takimin.
Shuma e parave merrej nga dy të miturit që prisnin viktimat në hyrje të një pallati në territorin e komisariatit nr.4 dhe më pas largoheshin.
Klientët trokisnin në një banesë ku nuk i përgjigjej askush./Abcnews.al/