Universiteti “Barleti” bëri 15 vjeç. Kjo datë e shënuar për Universitetin u festua përmes një ceremonie, me të ftuar të fushave të ndryshime, profesorë dhe njerëz të njohur.
Universiteti po hyn në një fazë të re zhvillimi, thonë drejtuesit. Administratori i Universiteti Barleti, profesori i asociuar Doktor, Arbi Agalliu foli për projekte ambicioze që po marrin jetë në institucion.
“Universiteti Barleti në këtë 15 vjetor vjen jo vetëm me një akreditim maksimal me 46 programe studimi dhe tre fakultete, por me një kampus modern në qendër të Tiranës i cili plotëson të gjitha kërkesat që nuk sot nuk gjendet në tregun e Arsimit të Lartë, një kampus me laboratore, si dhe me klasa teknologjike në funksion të përmirësimit të dijes së vazhdueshme”, shprehet ai.
Suksesi dhe përmirësimi nga viti në vit matet dhe me numrin e shtuar të studentëve që duan të arsimohen në këtë universitet.
Rektori Agim Kukeli u shpreh për disafish regjistrimesh të reja për këtë vit akademikë.
“Ka pasur risi në auditore, në kërkimin shkencor në organizmin e Universitetit duke dhënë një shembull çdo ditë në sistemin e lartë të Arsimit të Shqipëri. Cilësia e Universitetit ka ardhur duke u rritur. Kur themi “Barleti” kemi parasysh një universitet cilësor, serioz dhe të qëndrueshëm”, thotë ai.
Shumë prej pedagogëve janë që ditën e parë kur Universiteti “Barleti” hapi dyert 15 vite më parë, siç është dhe Suzana Cavo, Profesore e Asociuar, Doktore e njëherësh kryetare e Bordit të Besimit.
“Ne në 15 vite kemi arritur të krijojmë një institucion të qëndrueshëm, kemi arritur të kemi vizionin tonë. I kemi ngritur çdo pesë vjet synimet tona dhe sot në këtë 15 vjetor, vijmë të plotësuar. Shpresojmë shumë që në 20 vjetor Universiteti “Marin Barleti” të jetë pjesë e rrjetit ndërkombëtar të universiteteve më me emër”, thotë Cavo.
Universiteti “Barleti” krijuar në vitin 2005 është i pari institucion i arsimit të lartë në Shqipëri, që u ngrit nën drejtimin e kualifikuar të një bordi akademikë.