15 vite në Spaç, ish i burgosuri politik tregon vuajtjet: U plaka pa qenë ndonjëherë i ri

schedule18:16 - 23 Shtator, 2022

schedule 18:16 - 23 Shtator, 2022

Burgu i Spaçit një nga shëmbëlltyrat më të urryera të regjimit të egër që ka parë njerëzimi në diktaturë, u ndërtua në vitin 1968, në krahinën e Mirditës, vetëm një orë larg Milotit, përgjatë Rrugës së Kombit.

Burgu u bë gjatë diktaturës varri e persekutimi çnjerëzor i të burgosurve politikë. Në vitet 1970, numri i të burgosurve në atë burg arriti deri në 1 400 vetë.

Ish i burgosuri politik, Agron Hoxha, i ftuar në emisionin “Ballkan”, në ABC me gazetaren Linda Karadaku ka treguar përvojën e tij në burgun e Spaçit.

Linda Karadaku: A u bë ndonjëherë dekomunistizimi i Shqipërisë?

Agron Hoxha: Ky kapitull nuk është hapur ndonjëherë, nuk është realizuar. Këtë mund ta bënte Sali Berisha që në fillimet kur mori pushtetin e vet. Përfundimisht nuk është bërë asgjë përderisa në Parlamentin tonë ata vetë i thonë njëri-tjetrit ti ke qenë në nomeklaturën e shtetit.

Linda Karadaku: Çfarë ndryshoi për ju pas viteve 90?

Agron Hoxha: Të gjithë të burgosurit politikë kanë besuar te demokracia. Që kur ishim në burg, kishim njerëz që ishin vërtet intelektualë dhe mendimi i tyre doli ashtu siç ata kishin thënë. Në vitin ’88 ne nuk dolëm më në punë, refuzuam, ne pamë që komanda e repartit ishte shumë agresive, më shumë se sa e Spaçit. Ne po prisnim vetëm lirimin. Dalja jonë ishte e parashikuar nga njerëzit që ishin brenda. Ne merrnim informacione nga takimet që kishin njerëzit brenda. Edhe kur ishte diktatori sëmurë ne e dinim më parë se sa ta merrte vesh publiku jashtë. Të burgosurit politikë, pasi fituan lirinë morën dëmshpërblim nga qeveria e kohës.

Linda Karadaku: Çfarë mund të bëjë njeriu me ato para? Çfarë bëre ti?

Agron Hoxha: Në vitin ’90 PD na dha letrat me vlerë. Ajo ishte nismë e suksesshme por nuk doli ashtu siç e prisnim. Shumë pak i kanë marrë letrat me vlerë. Ndodhi ajo që nuk pritej. Na i morën letrat me vlerë dhe i privatizuan ata që i kishin. Kur kam qenë të Instituti i të Përndjekurve, mori një nismë Bilal Kola për njerëzit që nuk i kishin futur letrat me vlerë në punë. Janë shumë lekë të pa futura, përveç atyre që me shumë paturpësi i morën dhe nuk ia kthyen më. Unë i theva ato lekë në në ’93-’94 dhe me ato lekë vëllai im bleu ofiçinën e Levanit bashkë me një italian. Me ato lek unë shkollova fëmijët e mi. përveç asaj ishte dhe dëmshpërblimi i 2007-2009. Ishin lekë të shumta dhe ato lekë i bëra sërish shkollë. Fëmijët e mi sot janë aty ku duhet, por më vjen keq që nuk janë Shqipëri.

Linda Karadaku: A jeni rikthyer më në Spaç?

Agron Hoxha: Kam shkuar shumë herë në Spaç. Më erdhi keq që burgu ishte prishur. U ktheva pas disa vitesh. Të ishte muze, le të kujtonim ato që kishim hequr ne atje. Duhet të ishte ruajtur si një qendër që nejrëzit të kuptonin se çfarë kishim hequr ne atje. Ai ishte burg natyror, që e kishte krijuar vetë natyra. Se ku e kishte gjetur ai diktator që na çoi atje. Kam shkuar te dhoma ku kam qenë. Krevatet ishin hequr. Ne ishim 50 veta në një dhomë. Mu duk sikur isha prapë në burg. Ishte e tmerrshme. U plaka pa qenë ndonjëherë i ri. Kam qenë 20 vjeç kur shkova. Kur dola isha 34 vjeç.

Në vitin 1973 në Burgun e Spaçit pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jo-komunist. Në burgun e Spaçit kanë vuajtur dënimet politike disa intelektualë të famshëm, ndër të cilët edhe Fatos Lubonja.

Kohët e fundit ka pasur plane që Burgu i Spaçit të kthehej në një muzeum, por deri më sot, asnjë hap i mëtejshëm nuk është bërë në këtë drejtim./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!