15 vite burg për Moisi Habilajn

schedule18:00 - 19 Qershor, 2019

schedule 18:00 - 19 Qershor, 2019

Gjykata e Katanias në Itali ka dënuar me mbi 15 vjet burg Moisi Habilaj, i konsideruar kreu i bandës që trafikonte drogë dhe armë drejt Sicilisë. Gjyqtarja e çështjes ka pranuar kërkesën e prokurorëve, që e kanë cilësuar atë një bos të mirëfilltë të narkotrafikut.

Është mbyllur të mërkurën në shkallën e parë të Gjykatës së Katanias procesi gjyqësor ndaj bandës shqiptare të Habilajve. Për gjyqtaren e çështjes së njohur si “Trëndafili i erës”, Maria Kardilo, në krye të kartelit që importonte narkotikë dhe armë nga Shqipëria në Sicili ishte Moisi Habilaj.

Sipas mediave italiane, kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri nuk ka qenë një trafikant i thjeshtë por një bos i mirëfilltë, arsye për të cilën është dënuar me 15 vjet, 5 muaj dhe 10 ditë burg. Dënimi është tre vjet më pak nga sa është kërkuar nga prokuroria e Katanias e përfaqësuar nga prokurori Andrea Bonomo.

Sipas mediave italiane, Habilaj e ka dëgjuar dënimin në heshtje, brenda një prej qelive të katit të parë të gjykatës. Për avokatët e tij, Xhuzepe Ragaco dhe Maria Kaltabiano, Moisi Habilaj ka patur rolin e thjeshtë të “vektorit”, motiv për të cilin kishin kërkuar shfajësimin e tij nga akuza e trafikut në rrethana të rënda, në cilësinë e kreut të organizatës. Ndërkohë, akuza që u rrëzua ishte ajo për sasinë e madhe.

Bashkë me Habilaj është dënuar edhe Nazer Seiti, i konsideruar si arkëtari i organizatës, me 7 vjet, 4 muaj dhe 26 ditë burg. Kushëriri i Tahirit, siç preferojnë ta etiketojnë mediat italiane, në muajt e fundit kishte pranuar pjesërisht përgjegjësinë e tij, duke vendosur t’u përgjigjej pyetjeve të prokurorëve italianë dhe atyre shqiptarë.

Në përfundim të procesit janë dënuar gjithashtu Meridian Sulaj me 8 vjet dhe 4 muaj, si dhe shtetasit italiane Antonio Riela, Anxhelo Busaka dhe Vincenco Spampinato, me nga 14, 7 dhe 4 vjet burg. Mbetet ndërkohë mister se ku ka përfunduar Florian Habilaj, vëllai i Moisiut, i cili i shpëtoi operacionit të Guardia di Finanza dhe është shpallur në kërkim prej dy vjetësh. Banda e Habilajve furnizonte me lëndë narkotike të llojit kanabis tregun e drogës në Katania, ku bashkëpunonte me familje të njohura mafioze si Kapelo dhe Santapaola./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!