Drejtoria e Shëndetit Publik në Berat ka kryer depistimin në të gjitha kopshtet dhe çerdhet e qarkut të Beratit. I gjithë stafi i 15 kopshteve dhe çerdheve në qytetin e Beratit ka përfunduar sot testimin për Covid-19. Testimi i 110 edukatoreve është kryer nëpërmjet testeve të shpejta dhe përgjigja e testimeve ka përfunduar në 30 minuta.
Përveç edukatoreve,testimit i janë nënshtruar edhe sanitaret, kuzhinieret dhe punonjësit e administratës në këto institucione arsimore. Depistimi i kryer në kopshte dhe çerdhe, ku të gjitha testet kanë rezultuar “negativë” kishte si qëllim sigurimin e shëndetit të fëmijëve nga 1-6 vjeç, që kanë filluar prej dyjavësh frekuentimin e këtyre institucioneve.
Identifikimi dhe gjurmimi i rasteve pozitive përmes testit të shpejtë të antigenit cilësohet nga mjekët epidemiologë në Berat si një mekanizëm mjaft efikas për menaxhimin e pandemisë. Sipas mjekëve nëpërmjet testit të shpejtë mundësohet edhe kryerja në kohë reale e hetimit epidemiologjik të rasteve të evidentuara.
Burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik Berat bëjnë me dije se në ditët në vijim do të kryhet depistimi i plotë edhe në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme për të vijuar më pas me institucionet vendore./ Abcnews.al