“15 euro një pjatë makarona”, pasagjerët që mbetën në det të hapur: Ishte shumë e lodhshme

schedule18:24 - 9 Dhjetor, 2021

schedule 18:24 - 9 Dhjetor, 2021

Moti i keq, me reshje shiu e erë të fortë, e ka bërë të pamundur ankorimin e tragetit me pasagjerë që mbërriti nga Brindisi i Italisë në portin e Vlorës, mëngjesin e sotëm duke bëtë që 118 pasagjerë për gati 11 orë të rrinë të bllokuar në det të hapur. Pasagjerët të lodhur dhe të sprovuar shprehen se  nuk janë lajmëruar dhe çdo gjë u është dashur ta paguajnë vet. Disa prej tyre shprehen se kanë qëndruar edhe pa ngrënë për shkak të çmimeve të shtrenjta.

“Nga oran 06:00 e mëngjesit deri tani. Nuk kemi ngrënë. S’na kanë lajmëruar asgjë”, shprehet një prej pasagjerëve.

Një tjetër thotë se qëndrimi për shumë orë ishte e lodhshme. “Jemi nisur nga Italia mbrëmë në orën 20:00. Ishte e lodhshme për fëmijët e vegjël dhe të moshuarit. Ushqim kemi blerë atje, 15 euro një pjatë me makarona. Kishte shumë dallgë. Shumica ishin pa dhoma”, shprehet udhëtari.

“Ishte shumë e lodhshme, e turpshme mbi të gjitha. Nuk na kanë dhënë për të ngrënë, kemi paguar vetë”, thotë një tjetër.

Kjo nuk është hera e parë që pasagjerët mbeten të bllokuar në traget për shkak të motit të keq në Portin e Vlorës. Më 30 nëntor, po për shkak të motit të keq, 129 pasagjerë në bordin e tragetit që vinte nga Brindisi mundën të zbrisnin në tokë pas 6 orësh në mes të detit të trazuar. Ndërkohë sot është pezulluar edhe lundrimi për anijet e vogla dhe ato të  peshkimit në Vlorë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!