14-vjeçe në UÇK, bashkëshortja e ish-komandantit të paraburgosur në Hagë kandidon në zgjedhje

schedule15:00 - 19 Janar, 2021

schedule 15:00 - 19 Janar, 2021

Shqipe Mehmeti-Selimi do të kandidojë në listën e Vetëvendosjes për deputete me numrin 10, numër tradicionalisht e mbante burri i saj, Rexhep Selimi, që njihej në luftë me nofkën 10-shi’. Edhe Shqipja ka qenë pjesë e UCK-së. Para disa kohësh ajo është akuzuar nga vëllai i aktivistit të LDK’së se e ka rrahur atë me thupër.

Ish-komandanti i UÇK’së, Rexhep Selimi, nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, pasi po mbahet në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë, nën akuzat për krime lufte. Lëvizja Vetëvendosje ka përfshirë gruan e tij në listën zgjedhore, në mungesë të Inspektorit të Përgjithshëm të UÇK’së, shkruan Gazeta Express.

Edhe zonja Selimi ka qenë e përfshirë në Ushtrinë Çlirimtare. Bashkëshortja e Rexhep Selimit para disa muajsh në një intervistë televizive kishte treguar për kyçjen e saj në luftë në moshën 14-vjeçare. “Kam ardhur me familjen prej Gjermanisë në luftë, ndërsa unë dhe babi kemi qenë aktivë me uniformë në UÇK prej marsit 1998 deri në përfundim të luftës”, ka thënë Selimi.

Shqipe Selimi ka deklaruar se gjatë luftës kishte kontakte edhe me NATO’n si përkthyese pasi kishte njohuri të gjuhës angleze dhe gjermane. “Në atë kohë unë isha në kontakt me njësinë e NATO’s, isha e involvuar si përkthyese e në koordinata, dhe isha në rrjedha se çka po ndodh. Gazetarë të huaj më kërkonin si përkthyese pasi që e kam njohur gjermanishten dhe anglishten”, ka rrëfyer ajo./mv.abcnews.al