Si do të ndikojë tek inflacioni ulja e prodhimit të naftës nga OPEC-u?

schedule07:29 - 7 Tetor, 2022

schedule 07:29 - 7 Tetor, 2022

Vendet kryesore të prodhimit të naftës, të udhëhequra nga Arabia Saudite dhe Rusia, kanë vendosur të ulin sasinë e naftës me të cilën furnizojnë ekonominë globale.

Dhe mekanizmi i tregut që funksionon bazuar tek kërkesa dhe oferta sugjeron se kjo mund të nënkuptojë vetëm një gjë: pritet rritje e çmimeve për karburantin krudo, si dhe për naftën, benzinën dhe vajin për ngrohje, të cilat janë të gjitha nënprodukte hidrokarbure.

Vendimi nga OPEC+ për të ulur prodhimin me 2 milionë fuçi më pak në ditë, fillon të zbatohet muajin e ardhshëm, ndërsa vendet aleate perëndimore po përpiqen të vendosin kufizime ndaj fondeve që përfiton nga nafta makineria luftarake e Moskës që nga momenti kur filloi sulmin në Ukrainë.

Le t’i hedhim në vazhdim një vështrim më të gjerë vendimit të OPEC-ut dhe se çfarë mund të nënkuptojë ky vendim për ekonominë dhe për nivelin e çmimit të naftës.

PËRSE PO UL OPEC-u PRODHIMIN?

Ministri i energjisë i Arabisë Saudite, Abdulaziz bin Salman, thotë se OPEC-u po tregohet proaktiv duke përshtatur furnizimin për t’i paraprirë një rënieje të mundshme të nivelit të kërkesës, pasi ekonomisë globale që po ngadalësohet do t’i duhet më pak karburant për udhëtimet dhe për industrinë.

“Po kalojmë një periudhë pasigurish të ndryshme që mund të na dalin përpara; është një re që po ngryset”, tha ai, dhe shtoi se OPEC-u po përpiqet t’u paraprijë zhvillimeve. Ai e cilësoi rolin e këtij grupi si “një forcë moderuese, për të sjellë stabilitet”.

Çmimet e naftës kanë rënë, pas një vere me çmime të larta. Krudoja ka rënë me 24%, krahasuar me mesin e qershorit, kur shitej me çmimin 123 dollarë për fuçi. Tashmë është në nivelin 93.5 dollarë.

Një arsye e madhe për rënien është frika se pjesë të mëdha të ekonomisë globale po shkojnë drejt recensionit, ndërsa çmimet e larta të energjisë (për naftën, gazin natyror dhe elektricitetin) po nxisin inflacionin dhe po ua pakësojnë konsumatorëve fuqinë blerëse.

Një tjetër arsye: Rritjet në verë ndodhën për shkak të frikës se tregu do të humbiste pjesën më të madhe të naftës të prodhuar në Rusi, për shkak të luftës në Ukrainë.

Ndërsa kompanitë perëndimore i qëndronin larg naftës ruse edhe pa filluar sanksionet, kompanitë në Indi dhe Kinë i blenë këto fuçi me ulje të mëdha, dhe kështu efekti tek furnizimi nuk ishte aq i keq sa ç’pritej.

Prodhuesit e naftës i ruhen një rënieje të papritur në çmime nëse ekonomia globale fillon të bjerë me shpejtësi më të madhe se ç’pritej. Kjo është ajo që ndodhi gjatë pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe gjatë krizës financiare globale në 2008-2009.

SI PO E KUFIZON PERËNDIMI NAFTËN RUSE?

Shtetet e Bashkuara dhe Britania vendosën ndalime që ishin përgjithësisht simbolike pasi asnjë prej tyre nuk importon sasi të mëdha nafte ruse. Shtëpia e Bardhë nuk i ushtroi presion Bashkimit Evropian për të vendosur ndalim të importeve, pasi vendet e BE-së merrnin rreth një të katërtën e naftës nga Rusia.

Në fund të ditës, unioni prej 27 vendesh vendosi të bllokojë më 5 dhjetor naftën ruse që sillet me anije, ndërkohë që do të ruajë një sasi të vogël furnizimi me naftësjellësa, tek të cilët mbështeten shumë prej vendeve evropiane.

Përtej kësaj, Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore demokratike të Grupit të Shtatëshes po qartësojnë detajet e vendosjes së një tavani çmimi për naftën ruse. Kjo do të ndikonte tek kompanitë e siguracionit dhe të tjera që ndihmojnë transportimin e naftës nga Rusia drejt vendeve të tjera. BE-ja miratoi një legjislacion të ngjashëm këtë javë.

Shumë nga këto kompani i kanë selitë në Evropë dhe atyre do t’u ndalohet veprimtaria me naftën ruse nëse çmimi do të jetë mbi tavanin e caktuar.

SI DO TË PËRPLASEN ULJA E PRODHIMIT, TAVANET E ÇMIMIT DHE EMBARGOT?

Ideja për vendosjen e një tavani në çmim synon që ta lejojë transportimin e naftës ruse drejt tregjeve botërore, por me çmime më të ulëta. Kjo mund të largojë më shumë naftë ruse nga tregu dhe mund t’i rrisë çmimet më tej.

Kjo mund të rrisë edhe çmimin e karburantit për individët.

Çmimet e karburantit në Shtetet e Bashkuara që arritën një rekord prej 5.2 dollarë për gallon në mesin e qershorit, ranë rishtazi, por kanë rifilluar të rriten, duke krijuar kështu probleme politike për Presidentin Joe Biden një muaj përpara zgjedhjeve të mesmandatit.

Presidenti Biden, ndërsa përballet me nivele rekord inflacioni të 40 viteve të fundit, kishte përmendur si arritje çmimet në rënie të karburantit. Gjatë javës së kaluar, çmimi mesatar në mbarë vendin u rrit me 9 centë për gallon, në nivelin 3.87 dollarë. Kjo është 65 centë më shumë se ç’paguanin amerikanët një vit më parë.

“Është një zhgënjim, dhe po shqyrtojmë se çfarë alternativash kemi”, u tha Presidenti Biden gazetarëve në lidhje me vendimin e OPEC-ut.

A DO TA PËRKEQËSOJË INFLACIONIN ULJA E PRODHIMIT TË NAFTËS NGA OPEC-u?

Duket se po. Nafta krudo duket se do të arrijë në 100 dollarë për fuçi në dhjetor, thotë Jorge Leon, zëvendës president në kompaninë Rystad Energy. Ky është çmim më i lartë se çmimi prej 89 dollarësh që ishte parashikuar fillimisht.

Një pjesë e uljes së prodhimit me 2 milionë fuçi në ditë reflektohet vetëm në letra, pasi disa prej vendeve të OPEC-ut nuk janë në gjendje të arrijnë kuotën e tyre të prodhimit. Pra mund të bëhet një ulje realisht me vetëm 1.2 milionë fuçi në ditë.

Kjo do të ketë sidoqoftë një efekt domethënës në çmime, thotë zoti Leon.

“Çmimet më të larta të energjisë do të shtojnë pashmangshmërisht dhimbjen e inflacionit, të cilin po e luftojnë bankat qendrore, dhe çmimet më të larta të naftës do të ndikojnë tek vendimi nëse duhen rritur më tej normat e interesit për të ngadalësuar ekonominë”, shkruan ai.

Kjo do të rëndonte krizën e energjisë në Evropë, që lidhet më së shumti me pakësimin e furnizimit nga Rusia me gaz natyror dhe elektricitet, si dhe në uzina, dhe gjithashtu do të rriste çmimet e karburantit në mbarë botën. Ndërsa kjo nxit inflacionin, njerëzit do të kenë edhe më pak të ardhura për të shpenzuar për gjëra si ushqime dhe qera.

Faktorë të tjerë do të ishin luhatjet e çmimit të naftës, niveli i goditjes së një recensioni të mundshëm në Shtetet e Bashkuara apo në Evropë, si dhe jetëgjatësia e masave të Kinës ndaj COVID-19, të cilat kanë ulur kërkesën për karburant.

ÇFARË DO TË THOTË KJO PËR RUSINË?

Analistët thonë se Rusia, prodhuesja më e madhe ndër vendet jo anëtare të aleancës së OPEC-ut, do të përfitonte nga çmimet e ngritura përpara vendosjes së një tavani. Nëse Rusisë do t’i duhet të shesë naftë me ulje, të paktën ulja do të fillojë nga një nivel më i lartë çmimesh.

Çmimet e rritura të naftës më herët gjatë këtij viti balancuan pjesën më të madhe të humbjeve që pësoi Rusia nga kompanitë perëndimore që filluan të shmangin produktet e saj. Rusia gjithashtu arriti të riorientojë gati 2/3 e shitjeve që i bënte Perëndimit, drejt vendeve si India.

Por, në vazhdim Moska përjetoi rënie të të ardhurave nga nafta, nga 21 miliardë dollarë në muajin qershor, në 19 miliardë dollarë në korrik, dhe 17.7 miliardë në gusht, ndërsa binin çmimet dhe volumi i shitjeve, sipas Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë. Një e treta e buxhetit të Rusisë vjen nga të ardhurat e naftës dhe gazit, dhe vendosja e tavanit të çmimit do t’i hiqte asaj një burim kyç të të ardhurave.

Ndërkohë, pjesa tjetër e ekonomisë së Rusisë po zvogëlohet për shkak të sanksioneve dhe tërheqjes së bizneseve dhe investimeve të huaja. /VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!