Në Itali ka bërë jehonë lajmi se fëmijët e marrë peng një ditë më parë në autobusin e shkollës u shpëtuan nga një moshatar me origjinë egjiptiane. Përveç se është pritur si hero nga shokët e klasës, 13-vjeçari është vlerësuar masivisht edhe nga mediat italiane.
Një nga fëmijët që të mërkurën në Itali u përfshi në pengmarrjen e autobusit të shkollës është pritur si hero nga shokët e klasës, pasi shpëtoi këdo që ndodhej në bord. Shoferi i autobusit mori peng mjetin dhe 51 nxënësit që ndodheshin në të dhe më pas i vuri zjarrin kur ndodhej në rrethinat e Milanos.
Fëmijët e intervistuar nga mediat italiane kanë deklaruar se 13-vjeçari Rami Shehata fshehu celularin e tij kur shoferi pengmarrës po ua merrte nxënësve të tjerë dhe më pas telefonoi prindërit duke i informuar për sa po ndodhte.
“Ai është heroi ynë”, ka thënë një shok i klasës së Ramiut.
Sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, Rami telefonoi të atin teksa shtirej sikur po lutej në arabisht dhe ky i fundit më pas lajmëroi policinë. Babai i 13-vjeçarit ka deklaruar se ai dhe familja e tij kanë ardhur nga Egjipti dhe se Rami ka lindur në Itali në vitin 2005, por nuk i është dhënë nënshtetësia. “Im bir bëri detyrën e tij, do të ishte bukur nëse tani do t’i jepej nënshtetësia.
Ne duam shumë të qëndrojmë në këtë vend”, tha babai i adoleshentit. Ai shtoi se kur e kishte takuar të birin pas ngjarjes e kishte përqafuar fort. Rasti i 13-vjeçarit dhe origjina e tij kanë bërë jehonë edhe në mediat italiane.
“Rami Shehata, heroi i autobusit të marrë peng”, ka shkruar portali “Lego”.
“Heroi egjiptian dhe leksioni i qytetarisë”, ka shkruar ndërkohë “Tgcom24” Ditën e mërkurë, patrullat e policisë lokalizuan autobusin dhe bllokuan avancimin e tij përpara se shoferi ta spërkaste me benzinë dhe t’i vinte zjarrin.
Fëmijët u shpëtuan nga dritaret e fundit të mjetit, pasi policia theu xhamat. Një oficer policie që mori pjesë në aksion ka deklaruar: “Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishin fëmijët, vullneti dhe forca e tyre për të shpëtuar”.
Ndërkohë, i marrë në pyetje nga autoritetet, pengmarrësi, një 47-vjeçar nga Senegali, ka deklaruar se kishte vepruar personalisht dhe se nuk ishte i lidhur me asnjë grup terrorist./abcnews.al