Pavarësisht presionit politik, themeluesit e Institutit të Historisë e Arkeologjisë, siç pohon studiuesi Neritan Ceka, përgjegjës për Periudhën e Antikitetit, kanë bërë gjatë diktaturës përpjekje kolosale, që përmes zbulimeve të plotësonin boshllëqet mbi historinë e Shqipërisë, duke nisur që nga çështja e etnogjenezës dhe të ashtuquajturit, problem pellazgjik, që në këtë tekst duket se kapërcehet. Rishkrimi i “Historisë së shqiptarëve” nis pikërisht me tezën e neotilizimit, duke lënë të pakënaqur studiues të tjerë të historisë.
Në grupin e punës të përzgjedhur për shkrimin e “Historisë së shqiptarëve”, ku studiuesit e arkeologjisë dhe të historisë kanë peshën direkte, vihet re mungesa e ekspertëve në fusha të tjera të domosdoshme për të integruar informacionet, si ekspertët e gjuhësisë apo të etnografisë, veçanërisht të nevojshëm për periudhat e lashta. Problematikat siç shpjegon arkeologu janë thelluar edhe prej reformës së dëmshme akademike të vitit 2008.
“Historia e shqiptarëve” që rreket të qëmtojë të kaluarën në një këndvështrim të bazuar mbi fakte dhe analiza profesionale, siç thekson akademiku Neritan Ceka, po evidenton edhe njëherë ngërçet e mëdha të sistemit aktual. E ndonëse qeveria, përmes një fondi të posaçëm, po mban një qëndrim vanitoz mbi shkrimin e së kaluarës, me aktet e saj, siç dikton studiuesi, po rrezikon të ardhmen e arkeologjisë.
Gjurmët e antikitetit në Bylis, mozaiku magjik i Bazilikës së Madhe, Mesjeta e Hershme në Kalanë e Dalmacës në Koman, krahas kërkimeve të etnogjenezës në Sovjan janë vetëm dis a nga “yjet”e arkeologjisë që do të reflektohen në rishkrimin e historisë. Por Ceka, i mëshon rrezikut që i kanoset pasurive arkeologjike. Investimi që duhej të bëhej në Apolloni në vitin është sipas tij është një nga rastet flagrante, ku jo vetëm që profesionistët janë shpërfillur, siç ndodh rëndom, por ka edhe abuzim me fondet.
Kështu, “Historia e shqiptarëve” përfshin dhe atë të shkatërrimit të pasurisë arkeologjike, jo vetëm gjatë diktaturës me asgjësimin e objekteve të kultit, por edhe pas saj. E ardhmja ka nevojë sipas Cekës, për zbulime të reja në fushën e arkeologjisë, por qeveritë duhet të ndërgjegjësohen se kjo pasuri rrezikon të mbetet vetëm në letër, nëse nuk investohet për ruajtjen e saj e punën në terren. /Abcnews.al