10 vjet pa Ardian Klosin, Misha: La pas një zbrazëti të madhe intelektuale

schedule20:01 - 17 Maj, 2022

schedule 20:01 - 17 Maj, 2022

 “Ka njerëz që me vdekjen e tij, i mungojnë njerëzve të afërm, por ka njerëz që me ikjen e tyre lënë një zbrazëti që është vështirë të mbushet”, thekson Piro Misha, drejtori i Bibliotekës Kombëtare .

Kultura, politika dhe problemet sociale ishin kryefjala e intelektualit Ardian Klosi deri në frymën e fundit.

“Mungojnë shumë tema që ai ngrinte dhe i bënte prezent në opinionin publik me një fines që veç ai dinte. Gjithashtu edhe luftërat e tij , për ambientin ,problemet e kulturës, gjuhës apo përfshirjen e autorëve në kurrikulat shkollore janë shqetësime edhe sot”, tha Misha.

Këto janë disa prej artikujve pikantë që la pas publicisti i ndjerë në shtypin e shkruar. Ato prezantohen në Bibliotekën Kombëtare në shenjë nderimi në 10-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Liria e mendimit, eleganca e të bërit opozitë si dhe mjeshtëria e pendës në shtypin e shkruar, këto janë disa prej zbrazëtive që ai la pas.

“Me publicistikën e tij të shumëllojshme ai krijoi një model. Debati i Ardianit ishte gjithnjë për idetë dhe jo për individët”, tha Misha.

Një pjesë të rëndësishme në ekspozitë zë edhe korpusi i gjerë i librave, plot 115 të tillë që mbajnë firmën e tij si autor e përkthyes. Drejtori Piro Misha e cilëson ndërmjetësin më elitar mes Europës dhe Shqipërisë.

Kujtesa për figura të tilla si Ardian Klosi është e domosdoshme, por kjo ekspozitë ” In Memoriam”  duhet të shërbejë mbi të gjitha si reflektim për shoqërinë dhe shtetarët, sesi sillen në të gjallë me mendjet intelektuale kombëtare .

Konçidencë apo ironi e fatit “Përpjekja me jetuar me të vërtetën ”e Vaclav Havel, përkthim i Ardian Klosit i vitit 1989″, është dhurata që shkrimtari, miku i tij ish-drejtori Aurel Plasari ia bën arkivit të Bibliotekës Kombëtare në përvjetorin e 10 pa intelektualin. Një gjë është e sigurt se Ardian Klosi, do të vazhdoi të jetoi gjatë ndër breza  përmes testamentit shkrimor./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!