10 mijë € për frymë, ku do i gjejë PD? Mima në ABC: Premtim pa afat, synojmë ta bëjmë në 2030

schedule20:08 - 28 Janar, 2021

schedule 20:08 - 28 Janar, 2021

Sot Partia Demokratike prezantoi programin ekonomik me të cilin synon që të bindë shqiptarët që të votojnë Lulzim Bashën kryeministër për të ardhur në pushtet. Premtimet janë të shumta, ndërsa të tjera pritet që të ketë në ditët në vijim, pasi sot u prezantua vetëm programi për reformën rregullore dhe politikën fiskale.

Por sa kushton programi i PD-së? Hartuesi i programit të PD-së, Florion Mima i ftuar në Radarin Informativ në “ABC” përballë gazetares Jonida Shehu tha se realizimi i premtimeve të sotme kërkon 500 mln euro. Por pyetja që shtrohet është se ku do i gjejë PD-ja këto para? Mima, rrëfeu 2 “burimet”. “250 mln euro do i hiqen nga duart e korrupsionit dhe 250 të tjerat do të jenë plus nga rritja ekonomike e vendit” tha ai.

Një nga premtimet që ka tërhequr më shumë vëmendjen duke ngritur shumë pikëpyetje është ai për dyfishimin e të ardhurave për frymë, që sot, llogaritet në rreth 4900 euro, PD-ja e premton 10 mijë euro. Por si do të bëhet kjo? “Nuk ka afat. Ai është synimi i madh që në 2030 Shqipëria të ketë dyfishim” tha Mima, dhe gjithçka sipas tij do të bazohet te rritja ekonomike e vendit.

Intervista e Florion Mimës në ABC

Cfarë është programi ekonomik i PD-së?
Me një fjalë, programi është realist, i hartuar me shpirt patriotik. Ai që u prezantua sot është një nga modulet e programit, do të plotësohet me një modul cdo dy javë, transporti, integrimi, bujqësia, etj. Kjo është preambula e programit për reformën rregullore dhe politikën fiskale. Taksa e sheshtë është një rikthim në vitet 2007-13, e provuar e suksesshme. Sot për shkak edhe të taksës progresive jemi në prag të katastrofës.

Por si do ta mbushni buxhetin?
Të gjitha 500 mln euro i kushtojnë buxhetit këto masa. 250 mln euro është parashikimi, do të vijë nga prerja e duarve të korrupsionit dhe 250 të tjera do të jenë plus nga rritja ekonomike e vendit, rreth 5%, hap vende të reja pune, më shumë eksport dhe investime. Thesi është aty, po ju sot nuk e shihni.

Por si do ia hiqni nga duart korrupsionit?
Nëse nuk vjedh kryeministri, nuk vjedhin ministrat, drejtorët, etj. Të shkurajohet korrupsioni duke i kapur ata që fusin duart në arkën e përbashkët dhe duke i bërë shembull. Në të gjitha fushat ka platforma për uljen e korrupsionit. KLSH flet për 7.2 mld dollarë të keqpërdoruara. Këtu është një burim, te tenderat, koncesionet, PPP-të, etj.

Ju thoni që do të realizoni 110 mijë vende pune, cilët janë sektorët që do të i gjenerojnë?
Të gjithë sektorët që sot menaxhohen nga biznesi privat, tregtia, prodhimi, etj.

Zoti Basha sot ka deklaruar dyfishim të të ardhurave për frymë, që do të thotë se nëse sot e kemi GBP, 14 mld, do ta pjesëtojmë për 3 milionë, i bie 5 mijë euro për frymë sot, ju do ta çoni 10 mijë euro?
Nuk ka thënë këtë.

Cfarë do të ndodhë?
Po ta shikoni me kujdes paragrafin që ka folur për dyfishim të të ardhurave për frymë nuk ka afat, ai i referohet një date, që ne në materialet tona që shpejt do të publikohen.

Nuk po flas për kur, por si do të realizohet?
E vetmja rrugë është rritja ekonomike e qëndrueshme e vendit. Ne parashikojmë rritjen ekonomike nga 5-8%.

Ju duhet të keni një rritje dyshifrore, që të arrini këto?
Absolutisht jo. Në fund mandatit të dytë një rritje deri në 8% garanton dyfishimin.

Sot është diku në 1.5%, besoni se do ta dyfishoni?
Do të disa herë fishohet, kjo paketë do të çlirojë të gjitha energjitë e biznesit.

Por si?
Sot është 4900 dollarë për frymë…

Ju premtoni se do ta çoni 10 mijë, si?
Absolutisht në fund të mandatit të dytë, vetëm nga rritja ekonomike.

Do ta çoni 10 mijë?
Do të dyfishohet brenda dy mandateve dhe një vit më tepër. Është në 2030…

Dhe rritja ekonomike do të jetë në shifrën 8% që ju të arrini premtim?
Edhe pak më poshtë.

Dhe ky nuk është lapsus?
Nuk është lapsus, është i studiuar, analizuar dhe i debatuar.

Kush kanë qenë argumentet kundër, pasi duket si mashtrim elektoral?
Nuk është mashtrim elektoral, më besoni. Ai është synimi i madh që në 2030 Shqipëria të ketë dyfishim…

28 miliard të jetë GBP?
Absolutisht.

Mund të jetë?
Absolutisht mund të jetë.

Por si, çfarë plani keni?
Duke mos bërë këto që bëhen sot. Nëse paratë i lihen pjesës së madhe të biznesmenëve të ndershëm.

Nëse pas 25 prillit do të jeni në pushtet, dhe nëse nuk do i realizoni, më premtoni se nuk do të gjeni të njëjtin argument si ata që thanë e gjetëm më keq sesa e mendonim, më thoni që ju nuk do ta thoni këtë gjë?
Ju betohem që ditën e parë që unë nuk do të kem një tregues të bëshëm dhe realizueshëm do të largohem, pa diskutim.

db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!