Reali e Barcelona kryesojnë renditjen e klubeve të futbollit më të vlefshëm në botë, ndërsa Liverpuli i afrohet kreut. Premier Liga angleze dominon, duke pasur 6 klube në 10 vendet e para.
Dominimi spanjoll vazhdon, por vetëm krejt në majë. Dy klubet e La Ligës, Reali e Barcelona, mbeten sërish në krye të renditjes së emrave më të vlefshëm në botën e futbollit, ndonëse pas tyre po rritet kërcënimi nga Anglia.
Reali doli klubi më i vlefshëm i topkëmbës në rruzull, pas raportit të vitit 2020 nga agjencia e specializuar amerikane, “Brand Finance”. Vlera e madrilenëve ishte 1 miliardë e 572 milionë USD, duke ruajtur kryesimin e vitit të kaluar.
Ky vlerësim bëhet në bazë të emrit të klubit, të pasurive të patundshme të tij, të gjendjes së borxheve, të vlerës së skuadrës dhe të suksesit sportiv. Në vend të dytë është Barcelona, që “peshon” 1 miliardë e 565 milionë USD, duke u ngjitur në vendin e dytë.
Manchester United have been named as the third most valuable football club brand in the world. They had previously held second spot, but have been overtaken by Barcelona in the recent financial climate #mufc #mujournal [Brand Finance Football Annual] pic.twitter.com/XcapCuOQcX
— United Journal (@theutdjournal) July 29, 2020
Kjo, edhe pse katalanasit nuk e mbrojtën dot titullin në La Liga, e pavarësisht se janë goditur rëndë nga epidemia e koronavirusit. Një ngjitje të fuqishme ka bërë Liverpuli. Kampionia e re e Anglisë po i afrohet Mançester Junajtidit, duke qenë në vendin e katërt.
Nën udhëheqjen e trajnerit Klop shtoi titullin e Premier Ligës, pas atij të Championsit fituar në 2019. Të kuqtë vlejnë 1 miliardë e 398 milionë USD, duke qenë rreth 50-60 milionë USD prapa Junajtid.
Klubi i “Old Trafordit” po ndjen krizën e rezultateve, pasi sezonin e fundit nuk luajti në Champions, dhe prej disa vitesh nuk pretendon dot për titull. Në tërësi, në 10 vendet e para dominon Premier Liga angleze me 6 klube, pasi aty janë edhe Mançester Siti, Çelsi i Londrës si dhe dy klubet e tjerë londinezë, Totenhemi e Arsenali.
Bajerni i Mynihut është klubi i vetëm gjerman në 10-she, në vendin e 6-të duke humbur dy pozicione, dhe me vlerën rreth 1.17 miliardë USD. Franca përfaqësohet vetëm nga Paris SG në vendin e 7-të, me vlerë 1. 07 miliardë USD, ndërsa Seria A nuk ka asnjë ekip në dhjetë të parët, pasi Juventusi është i 11-ti. /abcnews.al