10 ditët e “ferrit”, Australia përjeton të nxehtë rekord

schedule08:43 - 19 Janar, 2019

schedule 08:43 - 19 Janar, 2019

Australia po përjeton periudhën më të nxehtë të vitit, që këtë herë ka lënë pas precedentët. Ndërsa termomentri është ngjitur mbi 40 gradë Celsius në zonat e konsideruara historike, vala e përvëlimit po përhapet në të gjithë vendin si kurrë më parë.

Australia ka kaluar gjysmën e 10 ditëve më të nxehta të vitit, që këtë herë kanë thyer çdo rekord. Vala e të nxehtit që prej fillimit të javës ka shkaktuar zjarre, probleme shëndetësore tek njerëzit dhe vdekje në botën e egër të kafshëve. Meteorologët vendas kanë deklaruar se konstatimet paraprake tregojnë se temperatura ditore arrin të paktën deri në 40 gradë Celsius. Qyteti Nuna, në Uellsin e Ri Jugor, regjistroi temperaturën më të lartë gjatë natës mes së enjtes dhe së premtes, plot 36 gradë. Bëhet fjalë për temperaturën minimale më të lartë të regjistruar ndonjëherë në gjithë Australinë, ndërkohë që në vazhdim ajo pritet të ngjitet mbi 42 gradë. Meteorologët e kanë krahasuar situatën me atë të 6 viteve më parë, kur zhiva e termomentrit arriti dhe qëndroi në 39 gradë për 7 ditë rresht. Dita me të nxehtin rekord në Australi është 7 janari i vitit 2013, kur temperatura mesatare ishte mbi 40 gradë. “Edhe vala aktuale renditet pranë asaj të janarit 2013 si i nxehti më i gjatë i regjistruar ndonjëherë në Australi”, ka deklaruar një specialist për BBC. Ekspertët thonë se vendi ka përjetuar edhe situata të tjera të ngjashme, por kurrë më parë një të tillë, që ka përfshirë pjesën dërrmuese të Australisë. Një erë e fortë e nisur nga Uellsi i Ri Jugor po e transporton vapën në Kuinslend, Viktoria, Australinë e Jugut dhe në atë që njihet si Territori Verior, me temperaturat që janë në ngjitje. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!