1.3 milionë të papunë të tjerë aplikojnë për asistencë financiare në SHBA

schedule08:58 - 10 Korrik, 2020

schedule 08:58 - 10 Korrik, 2020

1.3 milionë të papunë të tjerë amerikanë aplikuan për të përfituar kompensim financiar javën e kaluar, raportoi të enjten Departamenti i Punës. Kjo është java e 16-të  që numri i kërkesave për asistencë ka rënë nga niveli i lartë një-javor prej 6.9 milionësh në mars. Megjithatë, mesatarja e katër javëve të fundit, në më shumë se 1.4 milionë aplikime në javë, mbetet më e larta historikisht.

Në total, qeveria tha se rreth 18 milionë punëtorë mbeten të papunë edhe pasi miliona prej tyre janë rikthyer në vendet e punës. Një total prej 49,7 milionë punëtorësh kanë përfituar asistencë financiare gjatë katër muajve të fundit. Shifrat e aplikimeve që nga mesi i marsit kanë qenë tronditëse, duke kapërcyer lehtësisht 695’000 në një javë, që ishte rekordi i vendosur në vitin 1982.

Departamenti i Punës i Shteteve të Bashkuara thotë se rreth 20 milionë punëtorë të pushuar nga puna kanë vazhduar të marrin asistencën e papunësisë në javët e fundit, një shifër që u lehtësua pak javën e kaluar.

Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi po shqyrtojnë se çfarë ndihme shtesë mund të jepet nga qeveria federale për punonjësit e shkarkuar, por asnjë vendim nuk ka të ngjarë të jetë marrë para fundit të korrikut. Ekziston sidoqoftë mundësia për fonde shtesë për të nxitur ekonominë amerikane, por ato fonde mund të shkojnë për bizneset ose qeveritë e shteteve dhe ato lokale, dhe jo drejtpërdrejt te tatimpaguesit ose të papunët.

Zyrtarët kryesorë të ekonomisë amerikane parashikojnë që rikuperimi i plotë i vendit nga pandemia do të zgjasë për një periudhë të gjatë, duke u shtrirë deri në vitin 2021. Byroja e Statistikave të Punës tha se javën e kaluar niveli i papunësisë në vend u përmirësua në 11.1% në qershor, krahasuar me shifrën zyrtare të majit prej 13.3%. Por shifra e qershorit u përpilua në mes të muajit, përpara rritjes së rasteve të reja të koronavirusit.

Rezerva Federale ka parashikuar që papunësia në Shtetet e Bashkuara do të bjerë në 9.3% deri në fund të këtij viti dhe në 6.5% deri në fund të vitit 2021, një progres më i mirë se sa parashikojnë disa ekonomistë. Numri i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara nga koronavirusi tani ka arritur në 132’000, shumë më tepër se çdo vend tjetër i botës, dhe ekspertët e shëndetit parashikojnë se dhjetëra mijëra të tjerë do të vdesin në muajt e ardhshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!