Viktimat e masakrës në Rrezallë, të zhvarrosura nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë, do të riatdhesohen në Republikën e Kosovës më 30 shtator. Komisioni Qeveritar i Kosovës për Persona të Zhdukur, në koordinim me familjet, në vazhdimësi ka kërkuar që riatdhesimi i këtyre eshtrave të ndodhë sa më parë.
Bazuar në raportet e identifikimit, eshtrat e zhvarrosura në Kizhevak iu përkasin shtatë identifikimeve të reja nga masakra në Rrezallë, si dhe dy ribashkimeve me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Rashkës, Serbi.
Riatdhesimi i mbetjeve mortore të viktimave do të realizohet në bashkëpunim me përkrahjen e familjeve, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës- Sektorit për Krime Lufte , Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, thuhet në njoftim.
Në Kizhevak të Rashkës gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës në Kosovë nisën vitin e kaluar, por u ndërprenë për shkak të kushteve atmosferike. Ato rifilluan më 5 maj dhe zgjatën deri më 26 maj.
Në këto gërmime kanë marrë pjesë ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës, krahas atyre të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ekspertë të EULEX-it, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si dhe institucioneve të Serbisë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1.600 persona. /abcnews.al/