Vetëm 7 mijë e 200 mësimdhënës janë vaksinuar deri më tani, derisa numri i përgjithshëm i personelit arsimor në nivel vendi është 24 mijë e 370.
Numri i vogël i mësimdhënësve të imunizuar po vlerësohet si rrezik për vijimin normal të vitit të ri shkollor. Derisa nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit thonë se nuk ka ligj që e bënë vaksinimin të detyruar, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës deklarojnë se nuk do të kundërshtojnë nëse bëhen obligative vaksinimi i mësimdhënësve.
Mediat në Kosovë bëjnë me dije se në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë, është bërë e ditur se deri më tani në Kosovë janë vaksinuar rreth 7 mijë e 200 mësimdhënës.
“Bazuar në të dhënat e deritanishme, në Kosovë janë vaksinuar kundër COVID-19 rreth 7200 mësimdhënës të niveleve të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Numri i vogël i personelit arsimor të vaksinuar po shihet si shqetësues edhe për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Ymer Ymeri, përfaqësues nga kjo sindikatë thotë për KosovaPress se nuk ka asnjë arsye që mësimdhënësit të refuzojnë vaksinimin.
Ai potencon se mos vaksinimi i mësimdhënësve mund të ndikojë që viti i ri shkollor të rrezikojë të nisë me prezencë fizike në objektet shkollore.
“Edhe për neve si SBASHK është brengosëse ky numër i vogël i vaksinimit të punëtorëve arsimorë, për shkak se siç e dimë është krijuar mundësia që të gjithë të vaksinohen dhe mos vaksinimi i punëtorëve arsimorë mund të shkaktojë mos fillimin e procesit mësimor në shkolla. Prandaj ju bëjmë apel edhe një herë mësimdhënësve, të gjithë punëtorëve arsimorë, në veçanti mësimdhënësve, të vaksinohen për shkak se ka kohë që të merret edhe doza e parë edhe doza e dytë para se të fillojë viti shkollor”, thotë Ymeri.
Ymeri deklaroi se nuk do të kundërshtojnë nëse merret vendim që vaksinimi i mësimdhënësve të bëhet obligativ.
“Nëse ministria e Shëndetësisë ose ministria e Arsimit ose qeveria e Republikës së Kosovës e bënë të kushtëzuar fillimin e punës në shtator për mësimdhënësit me vaksinim ne nuk do të dalim kundër atij qëndrimi të qeverisë. Nuk do të dalim kundër institucioneve të Republikës së Kosovës në qoftë se ata mendojnë që duhet të jetë obligative çështja e fillimit të vitit shkollor për mësimdhënësit, se mësimdhënësit duhet të jenë ajo shtresë të cilët nuk duhet të hezitojnë as nuk duhet të jenë të hamendur a duhet të vaksinohen apo jo, sepse i vetmi shpëtim nga virusi është vaksinimi”, potencon ai.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, shprehet se nuk ekziston asnjë ligj i cili detyron vaksinimin, por thotë se një gjë e tillë është obligim moral.
Megjithatë bën thirrje për vaksinim në mënyrë që të bëhet i mundur fillimi normal i vitit të ri shkollor.
“Nuk ekziston asnjë ligj i cili e detyron dikë që të vaksinohet, në rastin e mësimdhënësve konsideroj se ky është një obligim moral në radhë të parë ndaj vetvetes, ndaj kolegëve dhe ndaj nxënësve. Shfrytëzoj rastin që t’i ftoj të gjithë mësimdhënësit që të vaksinohen në mënyrë që të bëjnë të mundur fillimin normal të vitit të ri shkollor, ta ruajnë shëndetin e tyre, shëndetin e kolegëve dhe të fëmijëve”, thotë ai.
Mësimdhënësit kanë qenë kategori me prioritet për vaksinim, në mënyrë që në shtator të fillojë procesi i rregullt mësimor./ abcnews.al