Rreth 20 % e fëmijëve në Shqipëri kanë përjetuar një formë të bullizmit. Konstatimi vjen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën, e cila e kategorizon bullizmin në dhunë psikologjike, fizike dhe seksuale.
“Bullizmi është dhuna ndaj një njeriu që është e padrejtë që ta dhunosh”.
“Bullizmi është diçka e keqe”.
“Bullizmi për mua është dhunë”.
“Bullizmi është kur ti ngacmon një njeri pa të drejtë dhe ai s’të ka bërë asgjë”.
Shpjegimi vjen nga fëmijë të moshës 10-11 vjeç, të cilët na tregojnë se ata vetë ose shokë të tyre e kanë përjetuar bullizmin në mjediset e shkollës.
“Ka raste që më thonë pse je kaq e shëndoshë dhe shumë lloje të tjera që unë i quaj ofendime”.
“Po në klasën time ka ndodhur, por mua nuk më ka ndodhur”.
Rreth 20% e fëmijëve në Shqipëri sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën thonë se janë dhunuar. Në raportin “Pas shifrave; fund dhunës në shkolla dhe bullizmit” publikuar në muaji Janar, UNESCO e kategorizon bullizmin në tre forma; dhunë fizike, psikologjike dhe seksuale. Shifrat janë më të larta tek djemtë se tek vajzat dhe tek 11-vjeçaret se 13-vjeçaret.
“Në klasën tonë është një çun. Ka disa vite në klasë që tallen me të edhe e rrafin. E bëjnë për shaka, por ai nuk reagon, nuk mendoj se i ka thërritur ndonjëherë prindërit”.
Për këtë çështje fëmijët tregojnë se diskutojnë më tepër me prindërit se mësuesit.
“Kemi mësuar se çfarë është dhe shumë herë kam pyetur mamin kur e kam dëgjuar si fjalë”.
Bullizimi në shkolla është fenomen botëror dhe sipas UNESCO-s në nivel global një në tre nxënës e ka përjetuar një forme të tij në muajin e fundit. Europa renditet ndër rajonet me përqindjen më të ulët të prevalencës së nxënësve që kanë përjetuar dhunë në shkolla 25%. Dhuna seksuale ne raport citohet si forma e dyte e bulizmit në shumë rajone. Bazuar në këto gjetje, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën rekomandon ndërhyrjet në legjislacion, trajnimin e mësuesve dhe mbështetje për fëmijët që kërkojnë mbrojtje./abcnews.al