Tirana kualifikohet në Shkodër për kupën

schedule15:32 - 13 Dhjetor, 2017

schedule 15:32 - 13 Dhjetor, 2017

Tirana arrin një kualifikim të vështirë dhe të rëndësishëm në Kupën e Shqipërisë, në Shkodër ndaj Vllaznisë. Përballja ishte e tensionuar dhe në fund u sulmua gjyqtari Jorgji.

Nervat nuk u përmbajtën dot në fund.
Dy ekipet më të vjetër dhe historikë të vendit e mbyllën me turp përballjen e tyre në Kupën e Shqipërisë dhe nuk mungoi as sherri me lojtarëve dhe as tentativa për të goditur gjyqtarin.
Tifozë shkodranë, që nga tribuna kryesore nuk i kursyen sendet e forta të hedhura në drejtim të Enea Jorgjit, të cilin e akuzuan për arbitrim të njëanshëm.

Tensioni kishte nisur që gjatë ndeshjes së kthimit të të tetave të finaleve, madje pa kaluar mirë gjysmë ore, kur Hoxhallari i Tiranës dhe Krymi i Vllaznisë patën sherr dhe si rrjedhojë u përjashtuan me karton të kuq.

Vllaznia arriti të fitonte, por suksesi 1-0 me golin e zëvendësuesit Kalaja nuk i mjaftoi, pasi tiranasit kishin fituar 2-0 në sfidën e parë në “Selman Stërmasi”.
Madje, kryeqytetasit e nisën më mirë sfidën, duke pasur më pak presion për shkak se vinin në epërsi të dy golave.
Po nuk shënove, në futboll mund të ndëshkohesh, dhe thuajse kështu i ndodhi miqve të trajnerit Ze Maria.

Vllaznia e mori veten shpejt dhe e kërkoi me ngulm golin e avantazhit, duke krijuar disa raste të mirë, por duke shpërdoruar shumë.
Për fat të keq, asnjëra nga skuadrat nuk bindi plotësisht dhe deri diku ishte e kuptueshme.

Vllaznia vërtet është në Superligë, por vetëm në vend të parafundit, ndërsa Tirana këtë sezon është më e dobësuar, pasi luan një kategori më poshtë.
Vetë trajneri Ze Maria pranoi se ekipi i tij luajti një ndeshje të dobët dhe se meritonte të eleminohej.
Gjithsesi, ndodhi e kundërta dhe tiranasit do të kërkojnë të kalojnë edhe Kukësin në çerekfinale, të fitojnë Kupën dhe të kualifikohen për në Europë sezonin e ardhshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!