Janë takuar paraditen e së enjtes dy partitë më të mëdha të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kurti u shpreh se kanë rënë dakord të bashkëqeverisin ndërsa Vjosa Osmani teheksoi se është në pritje të përfundimit të procesit të numërimit të votave.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë hedhur hapat e parë drejt krijimit të një qeverie të përbashkët. Në takimin që zhvilluar sot kreu i LVV-së Albin Kurti me Isa Mustafën e Vjosa Osmanin e LDK-së janë marrë vesh që të krijojnë grupet punuese për të vazhduar më tutje bisedimet për programet e tyre.
“Ekipet tona do të takohen për t’u dakorduar për programet tona. E uruam njëri-tjetrin për gjithçka sepse jemi pajtuar se do të qeverisim bashkë, sapo zhvilluam takimin tonë të parë për të diskutuar mundësitë e bashkëqeverisjes. Sot kemi diskutuar në nivel të parimeve e jo të detajeve”, tha Albin Kurti lideri i vetevendosjes.
“Çështja e kryeministrit do të jetë e padiskutueshme” tha Osmani, pasi sipas saj fituesi do të marrë këtë post.
“Ne si LDK e kemi deklaruar edhe më parë se po e presim rezultatin final. Kushdo që ka fituar do të marrë postin e kryeministrit”.
Por Kurti nuk u përgjigj konkretisht nëse do t’ia lë postin e kryeministrit Vjosa Osmanit në rast të ndryshimit të rezultateve pas numërimit të votave të diasporës dhe atyre me kusht.
Të dyja partitë janë pajtuar që të zvogëlojnë numrin e ministrive dhe zv.ministrave ndërsa kanë premtuar se 30% e kabinetit qeveritar do të jenë të gjinisë femrore.
Takimet në nivel të ekipeve punuese do të vazhdojnë nesër./ABC News Albania 24/7