Pretendentët e nisin me fitore Botërorin e koshit

18:42 | 31/08/201918:420

Nis me fitore të pretendentëve Botërori i basketbollit për meshkuj. Skuadrat kryesore si Serbia, Spanja apo Rusia nuk patën probleme.

Titulli do të vendoset në 15 Shtator, por duelet nisën pikërisht tani. Basketbolli filloi Kupën e Botës, të 18-ën në histori, dhe skuadrat pretendente nuk zhgënjyen, në parketet e pallateve të sportit të Kinës.

Serbia, e cilësuar si numri 2 i turneut pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dominoi siç pritej ndaj Angolës me shifrat 105-59. Një diferencë prej 46 pikësh, në prani të rreth 11.000 shikuesve në Arenën e Foshanit, ndërsa ballkanasit u udhëhoqën nga Bogdanoviç me 24 pikë, Marjanoviç që kapi 10 topa në tabela dhe ylli i Denverit, Nikola Jokiç me 9 asiste.

Po në grupin D, Italia gjithashtu e nisi me këmbën e mbarë, duke mundur 108-62 skuadrën e Filipineve. Datome e Dela Vale realizuan nga 17 pikë për italianët, të cilët duhet të bindin veten se mund të jenë pretendentë për sukses.

Skuadra më e lavdishme europiane e viteve të fundit, Spanja, po ashtu shpreson që të lerë gjurmë në Botëror. Iberikët, që luajtën dy herë me dinjitet ndaj amerikanëve në finalet olimpike, patën një nisje të lehtë, duke thyer Tunizinë 101-62.

Riki Rubio e Sergio Jul ishin më të mirët në fushë për ekipin e trajnerit Serxho Skariolo, ndërsa Mark Gasol shpreson të jetë në formën e tij më të mirë në ndeshjet e tjera.

Sukses edhe për Rusinë, një nga ekipet më tradicionalë në historinë e basketbollit, sidomos në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik. Në grupin B, rusët kaluan me vështirësi Nigerinë, 82-77, falë 16 pikëve të Mihail Kulaginit, dhe topave të kapur në tabelë të Nikita Kurbanovit./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono