Pakti detar, kurbani i konfliktit greko-turk

16:32 | 12/02/202016:320

Më 27 prill të vitit 2009, vetëm 24 orë përpara se të nisej për në Pragë, ku do të dorëzonte aplikimin me qëllim që Shqipëria të përfitonte statusin e vendit kandidat për përfshirje në Bashkimin Europian, Kryeministri i kohës, Sali Berisha, pati një vizitë të pazakontë.

Ishin grekët. Sa duket, në këmbim të votës së tyre “PRO”, ata nxituan të përfitonin.

Të gjendur në prag të shpërthimit të krizës së borxheve qeveritare, që do e fundoste Greqinë në zhvillime të papritura dhe me pasoja të panjohura, grekët duhej që të nxitonin.

Shqiptarëve u duhej vota e tyre si shtet anëtar i Bashkimit Europian dhe ky ishte rasti, që nuk duhej humbur, për të firmosur një marrëveshje, të cilën e kishin mbajtur larg çdo lloj publiciteti.

Ishte marrëveshja për ndarjen e detit, përcaktimin e shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare mes dy vendeve, për të cilën grupet e specialistëve grekë dhe shqiptarë kishin më tepër se një vit e gjysmë që punonin.

Ishte një akord dypalësh që ishte mbajtur larg opinionit publik, sidomos atij shqiptar, dhe jo më kot.

Prej gati 100 vitesh, qysh pas dhënies së Manastirit të Shën Naumit – Mbretërisë Jugosllave, në vitin 1925, historitë apo thashethemet me falje apo shitje të trojeve shqiptare konceptoheshin me kundërshti agresive nga opinioni publik.

Kështu edhe do të ndodhte edhe në këtë rast: 24 orë pas firmosjes së marrëveshjes, mediat shqiptare nisën ta kryqëzonin Kryeministrin e kohës. Titujt ishin bombastikë: E para, “Gazeta Shqiptare”, do të shpërndate mandatën me fjalët: Berisha – dhuratë Greqisë 225 kilometër katror në Jon!

Historia e mëtejme është e njohur. Partia Socialiste e dërgoi marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese duke e konsideruar si të papajtueshme me Kushtetutën dhe përcaktimin e kufijëve të rinj detarë në dëm të interesave të Shqipërisë.

Një vit më pas Gjykata Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen. Sipas argumentimit të vendimit, grupi negociator shqiptar për marrëveshjen nuk kishte marrë plotfuqishmëri nga Presidenti i Republikës, ndërkohë që përgjatë përcaktimit të vijës ndarëse të detit, nuk ishin marrë parasysh parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare për arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm.

Pas ardhjes në pushtet, socialistët trumpetuan me të madhe hartimin e një marrëveshjeje të re me grekët, e cila do të ishte disa herë më e mirë se ajo e kohës së qeverisë së Sali Berishës.

Por kjo marrëveshje e përsëritur ka kohë që ka mbetur pezull dhe pa asnjë zhvillim.

Deklarata e akuza politike, të bëra me zë të lartë, flasin se marrëveshja është bllokuar nga Qeveria turke e Erdoganit, që nuk do të krijojë një precedencë greke për shtrirjen e ujërave territorialë deri në 12 milje detare.

Por si është e vërteta?

Pakti detar ka mbetur peng i mosmarrëveshjeve teknike mes dy vendeve apo peng i politikës rajonale?

Të shtunën në orën 22:15, emisioni Abc/Story, përmes materialeve ekskluzive, fokusohet në një këndvështrim të ri për marrëveshjen e detit me Greqinë./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono