a1Instant

shpetimi-durua.jpg
Veronik Istrefaj23:10 | 20/01/2020

Trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro, ka bërë një lidhje direkte me emisionin “Pressing”, aty ku ka folur për shumë tema rreth ekipit të tij.

KAMPIONATI – “Ky kampionat është shumë i ekuilibruar, shumë i paparashikueshëm. Ne jemi në situatë komode në aspektin e kualifikimit, por është gjysma e kampionatit. E mendojmë edhe më të vështirë gjysmën e dytë. Skuadra ka bërë mirë, por ka pasur oshilacione si të gjitha skuadrat e tjera”.

MERKATO – “Normalisht, unë nuk kam qenë ndonjëherë “partizan” i merkatos së janarit, pasi për shumë faktorë, është e kushtëzuar. Një nga faktorët kryesorë që nuk kam ndërhyrë, është se skuadra është e plotë dhe nuk e kam pasur të nevojshme. Doja që të vinte ndonjë futbollist që bën diferencën, ndryshe nuk ia vlen. Janë larguar dy futbollistë, Daku dhe Kitanovski, dhe deri në momentin e fundit, do të shohim për t’i zëvendësuar. Është afruar pas një dëmtimi të gjatë Krasniqi, që rrit konkurrencën në repartin e mbrojtjes”.

KUKËSI – “Nuk mund të them që Kukësi bën diferencën në këtë kampionat. Nuk ma lejon pozicioni, pasi është një garë e gjatë. Duhen respektuar të gjithë kundërshtarët, ka shumë kundërshtarë seriozë, siç janë Partizani, Tirana, por nuk dua të veçoj dhe skuadrat e tjera që po bëjnë shumë mirë, si Bylisi, Teuta apo Laçi. Është meritë e jona që jemi kampionë dimri, kjo është meritë e të gjithë strukturave të klubit, por e thashë se është gjysma e kampionatit dhe do të jetë edhe më e vështirë gjysma e dytë”.

Trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro

GRUPI – “Tregues teknikë nuk të japin të drejtë ta bësh këtë pyetje, pasi Kukësi është një skuadër shumë e ekuilibruar. Është në dy skuadrat e para që ka shënuar më shumë gola, dhe është në dy skuadrat më të mira që kanë pësuar më pak gola. Gjysmën e golave e kemi pësuar me penallti. Në treguesit teknikë, jemi shumë mirë në të dy aspektet.

GAVAZAJ & ABAZAJ – “Ka shumë futbollistë si Abazaj dhe Gavazaj, që kanë qenë ardhjet më cilësore të merkatos së verës. Abazaj është aktivizuar në javën e katërt të kampionatit. Një futbollist jashtëzakonisht cilësor, por mungesa e fazës përgatitore kishte ndikimin e vet. Duket qartë se në 5-6 javët e fundit, në saj të profesionalizmit, ka arritur formë shumë të mirë. E njëjta situatë edhe me Gavazajn.

ALTERNATIVAT – “Përveç Shkurtajt, ka qenë nga java 5, 6, 7, që kemi pasur 7 mungesa. Kanë ndikuar në disa rezultate negative këto mungesa. Shkurtaj është ndër më të mirët në Shqipëri, golashënuesi më i mirë. Shpresoj të mos dëmtohet. Ka cilësi shumë të mira dhe e ka dëshmuar. Daku është larguar, djalë i ri, shumë i mirë. Por ai ka ardhur në huazim dhe donte minuta më shumë. Në mungesë të Shkurtajt, kam provuar Abazajn në qendër të sulmit. Unë kam mendimin se e bën shumë mirë edhe atë pozicion. Ndërsa Kitanovski luante në shumë pozicione, por Maliqi është një lojtar cilësor në krahun e djathtë të mbrojtjes”.

STADIUMI – “Nuk doja ta prekja këtë temë, por e dini shumë mirë sa minus i madh është të mos luash në fushën tënde. Kjo është meritë e Kukësit. Unë e mbaj mend që edhe Partizani ka luajtur para ca sezonesh në fushë asnjanëse. Por Partizani ka qenë i shoqëruar nga 700 deri në 1000 tifozë dhe nuk e ka ndjerë mungesën e tifozëve. Ne kur luajmë në Elbasan, nuk e kemi përkrahjen e tifozëve. Dua të komplimentoj çunat dhe skuadrën që kanë bërë maksimumin”.

TITULLI – “Nuk është fundi edhe po dolëm në vend të katërt. Është futboll, është garë, duhet respektuar garë. Çdo president i ekipeve kryesore futet për të fituar titullin. Kukësi ka luftuar për të dyja trofetë në sezonet e fundit. Unë e kam pasur të qartë që në fillim, duhen trofe te Kukësi. Kam bërë punën time profesionale bashkë me stafin tim, bashkë me futbollistët. Kemi pasur marrëdhënie të mira me drejtuesit e klubit, kur kemi pasur probleme, kam ditur t’i menaxhoj mirë. Të shohim në të ardhmen. Nuk kam asnjë lloj presioni, futbolli i tillë është”.

RIVALËT – “Partizani apo Tirana? Nuk dua të bëj diferencime. Patjetër që klasifikimi nuk ma lejon të bëj diferencime. Duhet respektuar Partizani si skuadër kampione në fuqi dhe të gjitha skuadrat që kanë të drejtën të luftojnë për titullin kampion. Nuk ia heqim dot të drejtën as Bylisit, as Tiranës, as Laçit”.

LUFTËTARI – “E përshëndes zotin Artur dhe besoj do të takohemi pasnesër në ndeshje. Absolutisht që nuk ka asnjë lloj nënvlerësimi, përkundrazi, skuadra është karikuar që në Antalya. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe duhet respektuar në maksimum Luftëtarin. Të mos harrojmë që para ca javësh, fituam edhe me Skënderbeun. Pavarësisht pozicionit, Skënderbeu ka futbollistë shumë cilësorë. Ndeshjen me Luftëtarin e vlerësojmë në maksimum”./abcnews.al

Manaj-Barcelona.jpg
Veronik Istrefaj22:31 | 20/01/2020

Sulmuesi i kombëtares, Rey Manaj, kompletoi sot transferimin e tij te Barcelona. Pasi nënshkroi kontratën me gjigantët katalanas, 22 vjeçari foli për faqen zyrtare të klubit, ku u shpreh: “Kjo është një nga ditët më të rëndësishme të jetës sime.

Vij te një klub i madh, për të cilin mendoj se është më i madhi në historinë e futbollit. Mezi po pres që të luaj me ekipin e ri. Kur Barcelona më bëri ofertë, nuk pranova të merrja në shqyrtim asnjë propozim tjetër dhe e vetmja gjë që dëshiroja, ishte të mbërrija sa më shpejt këtu. Tani jam shumë i lumtur.

Dua që ta ndihmoj sa më shumë skuadrën time të re. Një sulmues duhet të shënojë dhe uroj që këtë gjë, ta bëj këtu. I kam vendosur vetes disa synime personale, por mbi të gjitha dëshiroj që skuadra të ngjitet në kategorinë e dytë. Barcelona është klubi më me rëndësi në botë”, përfundoi Manaj./abcnews.al

Ronaldo-Traore.jpg
Veronik Istrefaj22:02 | 20/01/2020

Mbrojtësi i Newcastle United, Jetro Willems, ka dhënë një deklaratë që ka marrë shumë polemika në medie. Holandezi tha se është më e vështirë të markosh sulmuesin e Wolverhampton, Adama Traore, se sa Cristiano Ronaldon.

“Kam luajtur kundër shumë lojtarëve të shkëlqyer në karrierën time, por askush nuk është më i shpejtë se Adama Traore”, tha fillimisht Willems për “NorthernEcho”.

“Ai është i pabesueshëm, një bishë e vërtetë. Jo vetëm që është shumë i shpejtë, por është dhe shumë, shumë i fuqishëm fizikisht. Adama po konsiderohet si futbollisti më i shpejtë në botë dhe mendoj se ky fakt, është i vërtetë.

Unë mendoj se jam i shpejtë, ose më saktë, kështu mendoja deri sa isha në duel me Traoren. Ai është totalisht diçka tjetër. Kam luajtur edhe kundër Cristiano Ronaldos, i cili është po ashtu i shpejtë, por jo aq sa Adama. Është më e lehtë të luash kundër Ronaldos, se kundër Adama Traores”, përfundoi mbrojtësi i Newcastle./abcnews.al

Jetro Willems në duel me Adama Traore
jonuz.jpg
Veronik Istrefaj21:40 | 20/01/2020

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, ka folur për mediet para ndeshjes kundër Flamurtarit. Numri një i stoli shkodran preku shumë tema në lidhje me këtë ndeshje dhe me ekipin e tij.

LËVIZJET – “Stërvitjet në Ohër ishin shumë të rëndësishme për ne, zhvilluam tri ndeshje, kemi larguar disa futbollistë dhe kanë ardhur tre të tjerë. Adili e Jonuz janë në formën e duhur, ndërsa Sidorenco vazhdon të punojë dhe pas 10-15 ditësh do të jetë aty ku duhet. Jam i kënaqur me pjesën tjetër të ekipit. Po punojmë fort për ndeshjen me Flamurtarin, që është shumë e rëndësishme për ne”.

AFRIME – “Me ndryshimet e ndodhura në skuadër, gjendja është më e mirë, por kam folur me drejtorin teknik e administratorin dhe po shohim mundësinë për të marrë edhe një apo dy lojtarë të tjerë, prandaj do të presim deri në fund të janarit kur mbyllet merkato. Megjithatë, kjo tani është edhe në varësi të asaj që mund të gjejmë në këto momente.

MERKATO – “Nuk mund të themi që merkato është e mbyllur. Ne po kërkojmë sërish, që të bëjmë edhe një apo dy afrime të tjera”.

KALENDARI – “Tri ndeshjet e para që luajmë në shtëpi, janë shumë të rëndësishme për ne dhe do të tentojmë t’i kalojmë me sukses. Megjithatë, vëmendja kryesore është e përqendruar te sfida me Flamurtarin, që duhet ta fitojmë patjetër. Ne jemi të bindur për të arritur te një gjë e tillë dhe për ta mbyllur mirë xhiron e dytë të sezonit”.

FORCA E SUPERIORES – “Po, shumë e fortë. Me përjashtim të dy ekipeve, që patën edhe probleme për sa i përket mos-bërjes së merkatos dhe për këtë e thashë që duhet ta fillojmë mbarë me Flamurtarin. Me shortin që kemi në këtë start të këtij viti mund të kemi mundësi të mira për të qenë në luftë për një vend në Kupat e Europës”./abcnews.al

Piero-Ausilio.jpg
Veronik Istrefaj21:18 | 20/01/2020

Drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio, ka konfirmuar gjithçka për Sky Sport: Inter ka bërë ofertë zyrtare për Eriksen dhe është në pritje.

“Po, kemi bërë një ofertë zyrtare për Christian Eriksen. Ai është një lojtar i madh dhe Tottenham ka shumë oferta për të, por ne kemi besim se do ta mbyllim me sukses këtë operiacion.

Giroud? Kemi bisedime dhe do të firmosim me të në rast se një nga sulmuesit tanë, largohet. Deri më tani, bisedimet kanë ndaluar, por kemi bërë progres gjatë ditëve të shkuara. Me Victor Moses, kemi arritur akord dhe ditët e ardhshme, do të bisedojmë edhe për detajet e fundit”./abcnews.al

Wenger.png
Veronik Istrefaj20:57 | 20/01/2020

Trajneri i ri i Bayern Munchen vazhdon të jetë një temë shumë e diskutuar në Gjermani. Hans Flick po bën një punë shumë të mirë në krye të bavarezëve dhe u konfirmua deri në fund të këtij sezoni, megjithatë, Bayern synon një emër të madh në pankinë për sezonin e ardhshëm.

Emri i radhës që ka refuzuar pankinën e Bayernit është Ralf Ragnick, që ka qenë drejtor sportiv i Lepzig në të shkuarën. Agjenti i Ragnick konfirmoi për Bild se ka pasur një ofertë nga Bayern, por Ralf nuk do të marrë drejtimin e Bayern.

Ragnick bëhet emri i radhës pas Ten Haag dhe Tuchel që refuzon stolin bavarez. Pista “Arsene Wenger” mbetet ende e hapur, pasi është zbuluar që ish-trajneri i Arsenalit nuk po qëndron dot larg futbollit dhe kërkon rikthimin sa më shpejt.

Stoli i Bayern e tundon tepër strategun legjendar francez dhe në rast të ndonjë ofertë në verë, do të pranonte t’i bashkohej kampionëve të Gjermanisë./abcnews.al

Manaj.jpg
Veronik Istrefaj20:36 | 20/01/2020

Sulmuesi shqiptar, Rey Manaj, është zyrtarizuar sot si lojtari më i ri i Barcelona B. 22 vjeçari shqiptar u largua nga Albacete dhe iu bashkua skuadrës katalanase. Sot, Manaj ka kryer vizitat mjekësore, ka vizituar ambientet e klubit, është takuar me shokët e rinj të skuadrës, si dhe ka firmosur kontratën e tij të re.

Bomberi i kombëtares shqiptare ka firmosur deri në verën e vitit 2023 me Barcelonën dhe klauzola e tij, është e frikshme. Plot 50 milion euro duhet të paguajnë skuadrat e tjera për firmën e Manaj, pasi kjo është klauzola që Barcelona ka vendosur.

Manaj luajti 29 ndeshje me Albacete dhe shënoi 8 gola, si dhe një gol në Kupën e Mbretit. Te Barcelona, sulmuesi kuqezi do të mbajë të veshur fanellën me numrin 22./abcnews.al

Video-prezanti i Rey Manaj:

Fatjon-Andoni.jpg
Veronik Istrefaj20:17 | 20/01/2020

Futbollisti shqiptar, Fatjon Andoni, është larguar zyrtarisht nga skuadra greke e AEL Larissa. Lajmin për largimin e mesfushorit shqiptar e konfirmoi vetë faqja e klubit grek.

“Klubi i AEL Larissa konfirmon ndërprerjen e kontratës me futbollistin Fation Andoni, të cilin e falënderojmë për kontributin e tij në këto tre vite e gjysmë.

I urojmë sukses në karrierën e tij, shëndet dhe lumturi Andonit personalisht dhe familjes së tij”, shkruhej në faqen zyrtare të klubit grek./abcnews.al

Fatjon Andoni duke festuar një nga golat e tij për AEL Larissa
Avdijaj-1280x711.jpg
Veronik Istrefaj19:57 | 20/01/2020

Sulmuesi shqiptar, Dionis Avdijaj, është larguar nga Trabzonspor dhe ka firmosur për skocezët e Hearts. Anësori nuk arriti të zërë një vend titullari te Trabzonspor, pavarësisht se iu dha numri 7 në fanellë dhe kishte pritshmëri të mëdha.

Avdijaj dhe Trabzonspor vendosën të ndërprisnin bashkëpunimin dhe shqiptari ka zgjedhur të transferohet në kampionatin skocez të futbollit. Skuadra e Hearts militon në elitën e kampionatit skocez, por ndodhet në vend të fundit, me vetëm 13 pikë pas 21 javësh.

Trajneri i Hearts, Daniel Stendel, tha për Avdijajn: “Dionisi është një lojtar me vrapim të fuqishëm dhe që mund të shënojë gola. Ai është lojtar i ri, por me eksperiencë në klube të mëdha”. Avdijaj mund të debutojë që të mërkurën, në ndeshjen kundër Ross Country./abcnews.al

Dionis Avdijaj dhe trajneri Daniel Stendel

 

Ibra-8.jpg
Veronik Istrefaj19:38 | 20/01/2020

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, është një ndër futbollistët më të dashur në botë. Suedezi është tashmë 38 vjeç, por mosha për të duket thjesht një numër. Në stërvitjen e sotme të Milanit, gjiganti i sulmit ka bërë një veprim që është bërë menjëherë viral.

Pasi kontrollon topin në mënyrë të shkëlqyer me gjoks, suedezi përkulet thuajse në tokë, duke treguar fleksibilitet të shkëlqyer dhe një formë fizike të jashtëzakonshme.

Ky moment, i ka impresionuar dhe kameramanët e Milanit, që e kanë filmuar këtë moment dhe e kanë shpërndarë në faqen zyrtare të klubit në Twitter. Kjo video, është bërë menjëherë virale dhe ka marrë më shumë se 2 milion shikime. Ibrahimovic është thjesht spektakolar./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono