Dvorani tregon nëse ishte ai që u përgjua në kafe me Henri Çilin

schedule15:22 - 28 Shkurt, 2020

schedule 15:22 - 28 Shkurt, 2020

Kreu i KED ka mohuar të jetë ai personi që është përgjuar në kafe me botuesin Henri Çili për të lehtësuar tre personave të dënuar për vrasje, të cilët kanë kërkuar rekurd në Gjykatën e Lartë.

I pyetur nga gazetarët, Dvorani, i cili është njëkohësisht edhe kreu i Gjykatës së Lartë theksoi se e njeh Çilin, por se nuk e kishte mik dhe se nuk ishte ulur asnjëherë në kafe dhe aq më pak që të flisnin për çështje dosjesh.

Lexo më tepër: Arrestimi i Henri Çilit, dosja e Alikojve në Gjykatën e Lartë: Relaton Ardian Dvorani

Dvorani tha gjithashtu se askush nuk mund të ndërhyjë në radhen e dosjeve në Gjykatën e Lartë, ndryshe nga sa ka theksuar prokuroria.

“Janë 35 mijë çështje që rezultojnë me relator gjyqtarin Ardian Dvorani, por ju e dini që kjo gjykatë është jofunksionale. Unë uroj që kjo të jetë një spekulim, unë nuk kam asnjë lidhje me këtë gjë, për mua është kategorike jo.

E njoh Henri Çilin, por nuk e kam mik, vetëm jemi takuar disa herë në evente të ndryshme. Nuk ka asnjë lëvizje për atë dosje, pasi gjykata nuk është funksionale, nuk jam në dijeni as për ndonjë kërkesë për përshpejtim të kësaj çështjeje. Me zotin Çili nuk jam takur asnjëherë në kafene, mbaj mend që jam përshëndetur shumë muaj më parë”, tha ai.

NGJARJA 

Dvorani u pyet nga gazetarët pasi dyshohet se ishte ai “zyrtari i lartë i Sistemit të Drejtësisë” që u përgjua në kafe me botuesin Henri Çili, ku u fol për dosjet e tre të dënuarëve për vrasje, të cilët kanë kërkuar rekurs në Gjykatën e Lartë.

Ndikimi do të bëhej përmes një zyrtari të lartë në Sistemin e Drejtësisë, i cili takohet me botuesin Henri Çili në 14 janar të këtij viti në një hotel në qendër të Tiranës. Prokuroria ka përgjuar bisedën dhe ka dalë në përfundimin se zyrtari i lartë i Sistemit të Drejtësisë, të cilit nuk i gjendet emri në dosje, ka siguruar sipas Çilit zgjidhjen e të dyja rasteve në Gjykatën e Lartë.

Rekursi per vellezerit Aliko, relator eshte kreu i Gjykates se Larte, Ardian Dvorani

Bëhet fjalë për rekursin në Gjykatën e Lartë të vëllezërve Alban dhe Arbion Aliko si edhe Feti Yzeirajn. Alikot janë dënuar me respektivisht burgim të përjetshëm dhe 18 vite burg për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha, kurse Yzeiraj gjithashtu është dënuar me burgim të përjetshëm për një krim makabër disa vite më parë në Mallkastër.

Si Alikot ashtu edhe Yzeiraj kanë kërkuar rekurs për çështjen e tyre në Gjykatën e Lartë (shiko dokumentin) dhe kanë tentuar të ndërhyjnë në vendimin e gjykatës. Për të bërë këtë kanë kontaktuar me kunatin e Henri Çilit, Gazmir (Enri) Ajdinaj i njohur në dosjen e prokurorisë së Gazmir Ajdinaj.

Ky i fundit i ka siguruar fillimisht Çilit një takim me babain e Alikove, ndërsa ka komunikuar vetë me të afërmit të Yzeirajt duke i premtuar të ndikojë tek Gjykata e Lartë përmes Henri Çilit në favor të të dënuarëve.

Prokuroria ka përgjuar gjithçka nga raportet mes palëve të përfshira, një pjesë e madhe e të cilëve është arrestuar.

Por, ajo që të bën përshtypje është fakti se në dosjen hetimore nuk përmendet se kush është zyrtari i lartë i Sistemit të Drejtësisë përmes të cilit Henri Çili thuhet se do të ndikonte tek Gjykata e Lartë. Prokuroria nuk jep asnjë emër në dosje edhe pse thotë se ka përgjuar bisedën dhe këtij “zyrtari të lartë të Sistemit të Drejtësisë”.

Ky i fundit mbetet ende mister dhe nuk ka një emër apo pozicion, të cilin ai e mban.

Gjithashtu, një fakt tjetër që vlen të theksohet është se ky “zyrtar i lartë i Sistemit të Drejtësisë” siguron botuesin Henri Çili se do t’i kalojë tek 50 të parat në radhën e shqyrtimit çështjet për të cilat ai interesohet.

Duhet theksuar se në Gjykatën e Lartë ndodhen rreth 33 000 dosje.

Kjo tregon se kemi të bëjmë me një person të fuqishëm në këtë institucion apo që ka ndikim në këtë institucion sa të kthejë përmbys dosjet dhe të nxjerrë në krye Alikot dhe Yzeirajn.

Krahas tentativës për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në Sistemin e Drejtësisë, thelbi i gjithë kësaj historie lidhet pikërisht me faktin se në lojë është edhe një “zyrtar i lartë i Sistemit të Drejtësisë” që merr përsipër të lirojë apo lehtësojë të dënuar me burgim të përjetshëm kundrejt rryshfetit dhe për më tepër..nuk është arrestuar.

Vijon… /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!