Dritan Rexhepi intervistë për gazetarin Hoxha: Nuk kam lidhje me rrëmbimin e Prengës

schedule21:38 - 10 Shkurt, 2020

schedule 21:38 - 10 Shkurt, 2020

Dritan Rexhepi mohon të ketë dhënë urdhër për rrëmbimin e Jan Prengës. Gazetari Artan Hoxha publikoi sot pasdite ne studion e “ABC News” një intervistë të zhvilluar me telefon me Rexhepin, në burgun e Ekuatorit, ku ai prej gati 6 vitesh vuan një dënim për trafik kokaine.

Dritan Rexhepi këmbëngul se nuk ka asnjë provë që e lidh atë me rrëmbimin e Jan Prengës në Shqipëri. Kjo sipas tij është e pamundur, pasi ai ndodhet në një burg të sigurisë se lartë në kryeqytetin e Ekuadorit, Kuito, ku është i survejuar dhe nuk ka asnjë mundësi komunikimi të fshehtë telefonik.

“Nuk ka asnjë provë që më lidh mua me këtë ngjarje. Nuk e di kush është kaq i interesuar që të m’i bëjë këto trillime pa patur asnjë akuzë zyrtare nga shteti dhe t’i fryjnë kaq keq pa arsye”- shprehet Rexhepi në intervistën për gazetarin Artan Hoxha.

Lidhur me përgjimet e  bisedave telefonike mes tij dhe Ndrek Prengës, njërit prej vëllezërve Prenga në burg në Angli, Dritan Rexhepi deklaron se nuk ka asnjë akuzë për këtë dhe asgjë nuk është e provuar.

Ai u shpreh ngushëllime familjarëve të Jan Prengës dhe thotë se persona të tjerë kanë përdorur emrin e tij në këtë histori.

Një material më të plotë me deklaratat e Dritan Rexhepit në intervistën telefonike dhënë gazetarit Artan Hoxha do ta ndiqni në edicionet e tjera. Sot “ABC New” publikoi vetëm një pjesë të intervistës, ndërsa nesër do të jetë vazhdimi i saj./abcnews.al