Një drejtues i lartë i portit të Mariupolit, i cili u arratis nga qyteti i rrethuar dje, i tha BBC-së se pjesa më e madhe e qytetit është shkatërruar plotësisht, por zona e portit mbetet kryesisht e paprekur.
Zyrtari, i cili nuk dëshiron të identifikohet publikisht për shkak të shqetësimeve të sigurisë, tha se gjashtë anije me flamur të huaj ishin bllokuar në port që nga fillimi i luftës, por “ndryshe nga pjesa tjetër e qytetit, porti nuk kishte pasur shumë bombardime”.
Mariupol është porti më i madh në Detin Azov dhe një nga portet më të mëdha të Ukrainës për eksportin e produkteve bujqësore. Kapja e tij do të ishte strategjikisht e rëndësishme për Rusinë, përcjell abcnews.al.
Kremlini ka mohuar vazhdimisht se ka synuar qëllimisht infrastrukturën dhe ndërtesat civile, si shkollat, spitalet dhe shtëpitë në Mariupol, shumë prej të cilave janë shkatërruar me një numër të madh viktimash.
Por fakti se zona e portit mbetet relativisht e padëmtuar mund të jetë një tregues që Rusia vlerëson rëndësinë e saj strategjike dhe ka shmangur qëllimisht synimin e vetë portit. /abcnews.al