Zyrtari i saj nën hetim për blerje vote, LSI: Policia krah Rilindjes, po mësonin qytetarët të votonin me fletën e re

schedule11:59 - 10 Prill, 2021

schedule 11:59 - 10 Prill, 2021

Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shkodër ka reaguar pas vënies nën hetim të drejtuesit politik të LSI në Pukë Demir Syla pasi sipas policisë po tentonte të jepte para në këmbim të votës. Sipas LSI, aktivistët e saj po mësonin qytetarët si të votonin me fletën e re të votimit në vijim të praktikave dhe orientimeve të KQZ.

LSI e akuzon policisë që politizuar dhe i bën thirrje të ndalë revanshin anti-ligjor, dhe të investohet në kryerjen e detyrave të veta funksionale.

“Dega e LSI qarku Shkodër informon e sqaron opinionin publik se ngjarja e ndodhur ne Pukë, ku aktivistë të LSI janë marrë nën hetim nga policia është një situatë që tregon politizimin e tejskajshëm të policisë së Rilindjes.

Aktivistët tanë janë në të drejtën e tyre për të bërë ushtrime zgjedhore, në vijim edhe të praktikave dhe orientimeve të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve për mënyrën e votimit. Është skandaloze dhe e turpshme të dërgosh për ndjekje penale aktivistë politikë të cilët duan të bëjnë të njohur mënyrën e votimit, aq më shumë që është një skemë e re, e papërdorur më parë.

Fletët e gjetura janë demonstrative dhe nuk kanë si të jenë origjinale, kur ato akoma nuk janë prodhuar. Ato janë thjesht dhe vetëm orientuese dhe natyrshëm përdoren nga të gjithë subjektet politike. I bëjmë thirrje policisë të ndalë këtë revansh të turpshëm dhe antiligjor, dhe të investohet e angazhohet në kryerjen e detyrave të veta funksionale . Dega e LSI Qarku Shkoder”, deklaroi LSI Shkodër./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!