Zyrtarët e policisë të arrestuar në megaoperacion mundësonin trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali

schedule15:36 - 2 Korrik, 2021

schedule 15:36 - 2 Korrik, 2021

Në operacionin antidrogë “Shpirti” janë vënë në pranga një prokuror, drejtues të policisë si dhe zyrtarë të lartë publik.

Në listën e të arrestuarve janë: Maksim Sota, prokurori i Vlorës, Ilirjan Balla, shefi i sektorit kundër trafiqeve në Policinë e Shtetit, Saimir Kurti, drejtor i zyrës së Punës në Kavajë, Festim Lelaj, nënkomisar i Drejtorisë së Policisë Fier, Hekuran Marku dhe Agustin Deda shoqërues të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Në pranga ka rënë Ilirjan Balla, shefit kundër trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ai po hetohet në masën arrestit në shtëpi me akuzën shpërdorimit të detyre. Oficeri i lartë ka qenë drejtues i lartë i policisë në disa qarqe. Ai dyshohet se ka garantuar trafikun si në rrugë tokësore ashtu dhe në atë detare.

LEXO EDHE: Miliona euro pasuri, të gjitha detajet nga zbulimi deri të shkatërrimi i grupit të trafikantëve

Festim Lelaj është një tjetër i arrestuar ndër radhët e policisë. Ish komisari i Fierit ka tentuar të arratiset në aksionin për kapjen e tij. Ai është hedhur nga ballkoni i banesës, por ka mbetur i dëmtuar në këmbë.

Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar edhe prokurori Maksim Sota.

Prokurori Maksim Sota e ka nisur detyrën në Prokurorinë e Vlorës dhe ka qenë drejtues i kësaj prokurorie për disa vite.

Ai ka qenë kandidat për të qenë pjesë e SPAK. Në korrik të vitit 2019 u intervistua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si kandidat i Strukturës së Posaçme, por u skualifikua që në fazën e parë.

Sota akuzohet për shpërdorim detyre dhe ndaj tij Gjykata ka dhënë masën e sigurisë të arrestit në shtëpi.

Nga hetimet e nisura që prej vitit 2014, të përfshirë në këtë trafik kanë qenë dhe dy shoqërues t ëish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri. Ata janë Hekuran Marku e Agustin Deda.

Sipas SPAK, të gjithë zyrtarët e arrestuar kanë qenë edhe pronarë të lëndës narkotike. Duke shpërdoruar detyrën ata kanë garantuar që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë./abcnews.al