Zyrtare: Vendim i përbashkët, Ferrari dhe Vettel ndahen në fund të sezonit

schedule11:15 - 12 Maj, 2020

schedule 11:15 - 12 Maj, 2020

Ferrari ka marrë një vendim në lidhje me Sebastian Vettel. Piloti gjerman do të largohet nga skuderia italiane në fund të vitit. 32-vjeçari, i cili është shpallur katër herë kampion bote me Red Bull Racing, është pjesë e Ferrarit prej vitit 2015. Bashkëpunimi mes palëve nuk do të zgjasë, vendim që është bërë zyrtar nga “Kokëkuqja”.

Ferrari dhe Sebastian Vettel kanë vendosur në bashkëpunim për të mos e zgjatur kontratën aktuale përtej datës së skadimit të saj në fund të sezonit 2020. Mendojmë se kjo është zgjidhja më e mirë për të dy palët. Nuk ka qenë një vendim i lehtë, duke marrë parasysh vlerat e Sebastian si pilot dhe njeri. Nuk kishte një arsye specifike që çoi në këtë vendim.

Në emër të gjithë Ferrarit, dua të falënderoj Vettel për profesionalizmin dhe njerzillëkun e treguar në këto pesë vite. Nuk kemi arritur të fitojmë një titull kampion, që do të ishte i pesti për të, por jemi të bindur që do të jemi në gjendje për të provuar shumë kënaqësi në këtë sezon anormal”, deklaron Mattia Binotto, drejtori teknik i Ferrarit.

Një koment ka bërë edhe Sebastian Vettel. “Marrëdhënia ime me Scuderia Ferrari do të përfundojë në fund të vitit 2020. Të marrësh maksimumin në këtë sport nevojitet një harmoni e përsosur mes pilotit dhe ekipit. Kemi kuptuar se nuk ekziston më vullneti i përbashkët për të vazhduar së bashku.

Aspekti ekonomik nuk ka lidhje fare me këtë vendim, nuk bën pjesë në mënyrën time të të menduarit, nuk do bëjë kurrë. Dua ta mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën me Ferrarin”, thekson Vettel, i cili ka fituar 14 gara me Ferrarin, duke u renditur si piloti i tretë fitues në historinë e skuderisë së famshme italiane. /abcnews.al