Zyrtare: Vangjeli ndryshon vetëm kryeqytet dhe stemë, i bashkohet kampionëve

schedule15:15 - 15 Korrik, 2021

schedule 15:15 - 15 Korrik, 2021

Kristi Vangjeli la këtë verë Tiranën pas dy sezonesh dhe prej javësh ishte ne negociata për të gjetur klubin e ri. Sot është zyrtarizuar te Prishtina, duke mos ndryshuar ngjyrat, por vetëm kryeqytetin.

Lajmin e bën të ditur vetë klubi kampion i Kosovës, që bën një afrim të madh, duke parë formën e mirë që ka treguar Vangjeli te Tirana, pavarësisht 35 viteve mbi supe. Vangjeli ka folur edhe për faqen e klubit të ri.

“Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e klubit më të madh në Kosovë. Ndjehem mirë që do të vazhdoj të  vesh fanellën bardh e kaltër, kjo një kënaqësi më tepër.

Vije në një ekip kampion dhe shpresoj që gjithë atë përvojë dhe forcën në karrierën time t’ia përcjell ekipit këtu, të ndihmoj në maksimum, qoftë për të arritur kalimin e turneve në Evropë, qoftë për të arritur prapë objektivin kryesor të klubit, titullin e kampionit”.

Të them të drejtën, kuptohet, për ardhjen time kanë ndikuar edhe shokët që kam pasur në skuadra si Lilaj, Mici, Abazi e Muça, duke këmbëngulur edhe klubi që të më ketë në radhët e saj, duke shprehur besim në mua plus që është ekip që lufton gjithmonë për titullin e kampionit. Dhe kjo më obligon që të shtyj akoma më shumë forcën time.

“Sa për moshën time, shpresoj të tregojë vetë fusha moshën time. Besoj se jam dhe ndjehem ashtu sikur verëra sa më e vjetër aq më e mirë. Shpresoj këtë ta tregoj në fushë dhe mos t’ia lë asnjë tifozi apo analisti për të ma përmendur moshën time”, u shpreh Vangjeli. /abcnews.al