Ali Sowe ka lënë Bullgarinë pas tre vitesh dhe është transferuar në Rusi. Nga sot ai është bërë pjesë e skuadrës së Rostov, që ka arritur marrëveshjen me CSKA Sofia për transferimin e tij.
Ai shkon në Rusi në formën e huazimit me të drejtë blerje në fund të sezonit në varësi të paraqitjeve të ish-goleadorit të Superiores. Kujtojmë se 26-vjeçari është një nga sulmuesit më të mirë që ka luajtur në sezonet e fundit në Superiore.
Sulmuesi nga Gambia në sezonin 2017-18 u bë pjesë e Skënderbeut në formë huazimi nga Chievo dhe u shpall golashënuesi më i mirë me 21 gola, rekord personal për të.
Forma e mirë ka vazhduar edhe në Bullgari. Në sezonin e shkuar ai shënoi 14 gola me CSKA Sofia, ndërsa në gjysmën e parë të këtij aktual ai tundi 8 herë rrjetën. /abcnews.al