Shkupi ka zyrtarizuar trajnerin e ri dhe ai do të jetë Goce Sedlloski, një ish-lojtar i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut. 47-vjeçari ka pranuar ofertën e klubit shqiptar, ndërkohë që edhe ka folur për faqen e klubit.
“Fillimisht dua të falënderoj kryesinë, pronarin dhe të gjithë që më dhanë mbështetje. Kishim bisedime dhe gjatë dimrit, por asaj kohe nuk gjetëm gjuhën e përbashkët. Tani kjo ndodhi përsëri mora vendimin të vij te Shkupi. Kërkesa e tyre për sezonin e ardhshëm dhe ajo e imja është në një vijë.
E kam parasysh sa shumë po investohet në këtë klub, kanë angazhuar shumë futbollist, edhe pse sinqerisht nga këta futbollist njoh vetëm dy apo tre me të cilët kam punuar pak në kohën kur isha te Vardari. Të tjerët për mua janë të panjohur.
Këto gjashtë ndeshje do njoh lojtarët, pasi të gjithë po themi se kemi ekip të mirë, por duhet ta shoh vetë nga afër. Të gjithë këta futbollist që i kemi këtu, për mua fillojnë nga zero. Secilit do t’i jepet rasti dhe do të shoh se sa vlejnë”, ka thënë mes të tjerash Sedlloski.
KARRIERA – Si trajner ai fillimisht e nisi si ndihmës te skuadra e Budesligës austriake (2010–2013) SV Mattersburg, më pas ishte asistent edhe në reprezentacionin e Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2011–2012.
Me skuadrën e Horiont Turnovës punoi si trajner në vitin 2013–2014, që më pas të kalojë në detyrën e drejtorit sportiv te Vardari (2014–2015), ndërsa gjatë viteve 2015–2017 ishte trajner i Vardarit me të cilët fitoi dy tituj kampion dhe një herë titullin e Superkupës.
Në vitin 2018 mori drejtimin e skuadrës Riga të Letonisë, ndërsa një vit punoi edhe në Bosnjë e Hercegovinë me ekipin e Shiroki Brijeg. Nga viti 2020 Sedlloski ishte trajner me skuadrën e dytë të Dinamo Zagrebit.
Kontrata me Goce Sedlloskin është një vjeçare me mundësi për ta vazhduar edhe më tutje. Ekipi i trajnerëve me të cilin do të punojë Goce Sedlloski përbëhet nga Enes Qaili, Toni Meglenski, Pavel Nedelkovski dhe Matija Mirkov. /abcnews.al