ZYRTARE/ Nuk ka çelje negociatash, Shqipëria e pëson nga vetoja bullgare për Maqedoninë

schedule18:27 - 22 Qershor, 2021

schedule 18:27 - 22 Qershor, 2021

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian nuk kanë rënë sot dakord për caktimin e një date për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Lajmin e bëri të ditur në një konferencë për mediat, ministrja e Punëve të Jashtme të Portugalisë dhe njëherësh zv/presidentja e BE-së për Transparencën  Ana Paula Zacarias.

Kujtojmë se sot në Luksemburg u mblodh Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian dhe pritej që të caktohej një datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Por, Bullgaria vijon që të mbajë peng Maqedoninë e Veriut, e për rrjedhojë edhe vendin tonë.

Më herët gjatë ditës së sotme gazetarja Erisa Zykaj raportoi për ABC se është hera e parë që të gjithë vendet anëtare nuk kanë më asnjë rezervë në lidhje me ecurinë dhe arritjen e Shqipërisë në rrugëtimin e saj për hapjen e negociatave.

Siç ajo u shpreh, janë dashur 7 vite që Shqipëria të arrinte në stadin që asnjë vend anëtar të mos kishte më asnjë rezervë për këtë vendim.

Në 2019, dhjetë vende anëtare konsideronin se Shqipëria nuk përmbushte kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe ishin për ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, gjë që u kundërshtua edhe publikisht nga presidenti francez, Emanuel Macron dhe jo vetëm.

Por nga kontaktet që gazetarja ka pasur me këto 10 vende anëtare i kanë konfirmuar se tashmë janë shuar të gjithë dilemat dhe është arritur dakortësia për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Gazetarja bëri po ashtu të ditur se shumica dërrmuese e vendeve anëtare nuk e duan që konferencën e pare ndërkombëtare ta zhvillojnë vetëm me Shqipërinë, pasi ne kemi qenë vetëm në momentin e fundit gati për këtë hap, ndaj është e padrejtë që Maqedonia e Veriut të mbetej pas. s.b/abcnews.al/