Humbja ndaj Kastriotit pak ditë më parë rezultoi “fatale” për Bledi Shëkmbin, i cili nuk do të jetë më trajneri i Dinamos për pjesën e mbetur të sezonit.
Klubi i Dinamos e ka konfirmuar lajmin e largimit të Shkëmbit, nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, ku thuhet se pas takimit mes presidentit Adrian Bardhi dhe Shkëmbit, palët kanë rënë dakort që të ndajnë rrugët mes tyre.
Rezultatet e dobëta të arritura nga blutë në kampionatin shqiptarë kanë bërë që drejtuesit të rishikonin pozicionin e trajnerit të tyre, me rrezikun e mbijetesës që i shqetëson vazhdimisht.
“FC Dinamo njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Bledi Shkëmbi.
Presidenti Adrian Bardhi dhe trajneri Shkëmbi kanë zhvilluar mbrëmjen e djeshme një takim në të cilin është diskutuar ecuria dhe performanca e skuadrës. Në përfundim palët kanë vendosur të ndahen miqësisht dhe të ndërpresin bashkëpunimin mes tyre për pjesën e mbetur të sezonit.
Klubi, në emër të z.Adrian Bardhi falenderon trajnerin Shkëmbi për kontributin e tij dhe punën e përkushtuar që ka bërë ne fillim të sezonit 2021-2022 për krijimin e grupit aktual të futbollistëve, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në të ardhmen.
FC Dinamo bën me dije se drejtimin e skuadrës, Presidenti Bardhi do t’ia besojë z.Bledar Devolli, i cili aktualisht mbante postin e zv.trajnerit në ekip.
Stafit teknik në rolin e zv.trajnerit, i shtohet dinamoviti Erion Xhafa, ish-lojtar dhe kapiten i Dinamos, aktualisht trajner i ekipeve zinxhir të akademisë blu”, thuhet nga ana e klubit.
View this post on Instagram
Blutë, zëvendësuesin e Shkëmbit e gjejnë brenda skuadrës, me Bledar Devollin që merr drejtimin e skuadrës që në ndeshjen derbi kundër Partizanit në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë që luhet ditën e enjte në “Air Albania”, ndërsa Erion Xhafa merr postin e zëvendëstrajnerit. /f.a/abcnews.al