Shkëndija rikthehet të sjellë emra të mëdhenj në futbollin maqedonas, teksa afrimi më i freskët është ai i Kamer Qakës, ish-mesfushorit të kombëtares kuqezi, me të cilën numëron katër ndeshje.
Lajmin e akordit me lojtarin e bën të ditur vetë klubi nga Tetova në një njoftim të gjatë, ku ka marrë edhe prononcimin e lojtarit si lojtari më i ri i kryesuesve të kampionatit të Maqedonisë së Veriut.
25-vjeçari gjatë sezoneve të fundit nuk ka mundur të jetë ai i para disa viteve dhe ky transferim te Shkëndija pritet t’i japë më shumë minuta në dispozicion dhe ta ndihmojë për të fituar besimin në vete arritur formën optimale fizike.
Më poshtë është njoftimi i Shkëndijes dhe fjalët e para të Qakës: “Reprezentuesi i përkohshëm i Shqipërisë vjen në Tetovë nga futbolli rumun, ndërsa firmos kontratë për 18 muaj me kuqezinjtë.
Klubi i futbollit Shkëndija me kënaqësi komunikon angazhimin e mesfushorit, Kamer Qaka. 25 vjeçari i lindur në Pejë karrierën e ka nisur në Norvegji, ndërsa vjen në Tetovë nga futbolli rumun. Drejtuesit e klubit dhe futbollisti kanë gjetur akord për bashkëpunim dhe reprezentuesi i përkohëshëm i Shqipërisë ka hedhur firmën e tij në kontratën me kohëzgjatje prej 1.5 vite.
“Është shumë ndjenjë e mirë të jem pjesë e Shkëndijës. Kam dëgjuar shumë gjëra të mira për këtë klub, se është skuadër serioze. Mezi pres të luaj për ekipin për të treguar edhe potencialin tim.
“E dij se Shkëndija është shumë e fortë në kampionat aq sa kam pa unë, por edhe në Europë kam ndjek disa ndeshje shumë të mira dhe janë përballur me skuadra të njohura. Shpresoj që edhe unë do të mund të ndihmoj skuadrën për të arritur edhe më shumë.
“Kam dëgjuar se Shkëndija luan futboll shumë ofenziv, ashtu si kam qejf edhe unë me shku përpara gjithmonë. Serioziteti i klubit më bëri të pranoj ofertën.
“Mendoj se më me rëndësi është të paraqitem mirë për klubin, pastaj të shofim. Gjithë futbollistët duan të luajnë për kombëtaren, jam shqiptar dhe gjëja më e madhe është të luaj për kombëtaren.
“Nuk kam qejf të flas shumë për veten, më shumë dua të flas në terren. Shpresoj përfundon kjo puna e pandemisë, të kthehen ‘Ballistët’ të na shohin dhe të na përkrahin dhe besoj se bashkë do të ecim mirë”, u shpreh Kamer Qaka në prononcimin e tij të parë si futbollist i Shkëndijës.
Qaka ka lindur në Pejë, por në moshën dy vjeçare familja shpërngulet në Norvegji. Me futboll nis te Valerenga, ndërsa në Norvegji është paraqitur edhe me Raufoss, Hønefoss, Kristiansund dhe Kongsvinger, ndërsa në vitin 2017 transferohet në Rumani fillimisht te Politehnica Iasi, për të bërë më pas në vitin 2018 lëvizjen e madhe drejt Steaua Bukuresht. Universitatea Craiova është suadra e tretë rumune ku ka luajtur Qaka, për të vendosur tashmë të luajë në elitën tonë.
Qaka ishte anëtarë i rregullt i përfaqësueseve U17, U18 dhe U19 të Norvegjisë, mirëpo në kategori të seniorëve vendosi të përfaqësojë Shqipërinë, duke regjistruar 4 paraqitje me kombëtaren kuqezi në kohën kur seleksionues ishte Kristian Panuçi.Kamer Qaka bëhet përforcimi i katërt i Shkëndijës në këtë merkato, ndërsa menjëherë pas firmosjes së kontratës udhëton drejt Turqisë ku do të bashkohet me grupin në fazën përgatitore në Antalia”. /abcnews.al