Emocionet në fillim ishin shumë të mëdha. Dy kapitenët ishin shqiptarë në duelin në stadiumin “Sent Jakob Park” të Bazelit.
Granit Xhaka për Zvicrën vendase, dhe Amir Rrahmani i Kosovës.
Gjithsesi, kjo ishte e vetmja gjë “vëllazërore” në sfidën eliminatore të Kupës së Botës, që nuk pati aspak histori.
Vetëm kapiteni ka mbetur nga shqiptarët e Zvicrës, të paktën për momentin, pas tërheqjes së Xherdan Shaqirit, ndërsa të tillë si Xhemaili, Behrami apo Mehmedi, ndërsa për pak kohë ndoshta pritet Adrian Bajrami, ish-lojtari i Shqipërisë.
Siç paralajmëroi trajneri vendas, Murat Jakin, ndeshja do të ishte një betejë pa dhurata dhe kështu ndodhi, me helvetët që dominuan që në fillim dhe fituan me meritë.
Përballë një skuadre që pëlqen futbollin e bukur, por shpesh të hapur dhe naiv, e pa përvojën e duhur ndërkombëtare, golat erdhën radhazi që në pjesën e parë.
Manuel Akanxhi, lojtari i ri i Milanit, shënoi në 22’, sulmuesi Brel Embolo pati dy rrjeta në 25’ e 45’, ndërsa Vidmer realizoi për 3-0 në 39’.
Kosovës i munguan të tillë si Zhegrova apo Rashica, por kjo nuk mund të jetë një justifikim.
Duket se trajneri gjerman, Franko Foda, do të ketë një detyrë të vështirë me një ekip që u paraqit mirë në Ligën e Kombeve, por që I nisi tepër keq eliminatoret e Botërorit, dhe që ndodhet në një grup të vështirë, edhe me Suedinë e Slloveninë.
Në 8 shtator, këtë të hënë, “dardanët” do të presin pikërisht skandinavët në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, me shpresën për të bërë një paraqitje krejt tjetër.

