Zvicra i mohon shtetësinë milionerit francez pas shkeljes së rregullave të shpejtësisë

schedule12:14 - 17 Janar, 2023

schedule 12:14 - 17 Janar, 2023

Autoritetet zvicerane i kanë refuzuar kërkesën për shtetësi një shtetasi francez, pasi ai u shpall fajtor për drejtimin me dyfishin e lejuar të shpejtësisë.

Vendimin për refuzimin e kërkesës për shtetësi të shtetasit francez, i cili jeton në Zvicër për gati katër dekada dhe është pronar i klinikave dhe hoteleve luksoze, është marrë nga Administrata Federale e Zvicrës.

Sipas SchengenVisaInfo.com i pandehuri konsiderohej i qëndrueshëm financiarisht, me një pasuri që arrinte në miliona franga. Megjithatë, pasi ai u kap duke ecur me 80 km/h në një zonë me shpejtësi të kufizuar prej 40 km/h në vitin 2017, autoritetet vendosën të refuzojnë kërkesën e tij, e cila ishte dorëzuar në vitin 2018.

Prokuroria publike e Gjenevës e kishte dënuar edhe me gjobë shtetasin francez , emri i të cilit nuk bëhet i ditur, në korrik të 2017-s.

Duke marrë parasysh veprën penale, Gjykata Administrative Federale Zvicerane vendosi se një person me precedentë penalë nuk mund të pretendojë “integrim të suksesshëm”. Për më tepër, gjykata shtoi se shtetësia nuk mund të jepet derisa të ketë skaduar masa e provës.

Kjo do të thotë se shtetasi francez së shpejti duhet të paraqesë një kërkesë të re për shtetësi.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!