Zverev thyen raketën, tifozja e vogël merr dhuratën unike

schedule16:17 - 10 Shkurt, 2021

schedule 16:17 - 10 Shkurt, 2021

Një tifoze e vogël mori një dhuratë të veçantë në turneun e tenisit, Australia Open. Gjermani Zverev i dhuroi raketën personale, ndërsa vajza kishte bërë 1000 kilometra për të parë ndeshjen në Melburn

Kjo ndodhi në një nga ndeshjet e para në kompleksin “Rod Laver” në Melburn.  Ndërsa gjermani (me origjinë ruse) Alexander Zverev, po ndeshej me amerikanin Marcos Giron në turin e pare të Australian Open, ndodhi që 23-vjeçarit nuk po i shkonin punët mirë.

Në një moment, Zverevi e përplasi raketën përtokë me nervat përpjetë, dhe ajo u dëmtua. Më pas, instinktivisht, ai u kthye nga publiku i paktë në tribunë dhe raketën ia dha në dorë një vajze të vogël.

Vëllai i Zverevit, Misha sqaroi më pas se vajza e vogël ishte aty bashkë me familjen e saj, një familje gjermane që jeton në Australi. Ata kishin përshkuar 1000 km në vendin e madh kontinental për të ndjekur Australian Open.

Sa për Zverevin, ai nuk e ka për herë të parë që nervozohet gjatë ndeshjeve dhe thyen raketat. Edhe pse kjo u ndodh shumë tenistëve, 23-vjeçari është ndër më tipikët për nervat e tij në fushë, madje pak kohë më parë u akuzua nga e dashura për dhunë.

Duke u kthyer tek Australian Open, Zverevi u kualifikua për në turin e tretë pas fitores 3-0 ndaj amerikanit Cresi, ndërsa do të ndeshet me francezin Manarino, numrin 36 të botës. Ai është një nga kandidatët për të fituar titullin, bashkë me të rinjtë e tjerë Tim apo Medvedev, si dhe me legjendat e vjetra Novak Djokovic e Rafael Nadal.

Numri 1 i botës, Djokovic, u kualifikua gjithashtu për në raundin e tretë, veçse pas një ndeshjeje të vështirë ndaj amerikanit Tiafo me rezultatin 3-1. Shifrat e seteve ishin 6-3, 6-7, 7-6 e 6-3, ndërsa tenisti serb do të ketë përballë amerikanin Taylor Fric në raundin e tretë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!