Zv/Kryetari i Gjykatës së Lartë: Sfidë ulja e çështjeve të prapambetura dhe rikthimi i besimit në drejtësi

schedule10:21 - 30 Dhjetor, 2021

schedule 10:21 - 30 Dhjetor, 2021

Zëvendës kryetari i gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, këtë të enjte në një deklaratë për mediat ka bërë publike raportin vjetor të punës së institucionit.

Sadushi në fjalën e tij ka thënë se këto çështje të prapambetura e kanë fillesat që nga viti 2012 dhe ulja e numrit të këtyre çështjeve kërkon kohë dhe angazhim.

Ndër të tjera ai është shprehur se një ndër sfidat kryesore të Gjykatës së Lartë është rikthimi i besimit tek qytetarët.

Kjo  Gjykatë po e kryen funksionin e vet kushtetues, duke u përpjekur maksimalisht të përçojë tek publiku besimin dhe shpresën se situata është duke ndryshuar. Jemi të ndërgjegjshëm se opinioni publik pret nga Ne, më shumë efektivitet, një ritëm më të lartë në gjykim dhe rrjedhimisht më shumë rezultat. Gjykata e Lartë nuk resht së kërkuari për mënyra, mjete dhe rrugë të reja që sigurojnë shpejtësi, korrektësi, cilësi dhe transparencë në vendimmarrje. Situata në Gjykatën e Lartë është në një zhvillim dinamik dhe e tillë parashikohet edhe gjatë vitit 2022. Ne dimë se çfarë dhe si duhet bërë, për të dalë nga kolapsi, në të cilën e gjetëm këtë institucion.Për këtë kërkohet durim dhe mirëkuptim.

Po mbyllim një vit me zhvillime pozitive, sa i takon ritmit të lartë të punës, metodologjisë së qartë të ndjekur nga trupa gjyqësore, dhënies së shpresës për fillimin e uljes së numrit të çështjeve te prapambetura, por edhe shtimit të arsyeshëm të organikës së Gjykatës së Lartë. Gjatë këtij viti u emëruan 6 gjyqtarë të tjerë, ndërkohë që jemi në pritje të 5 të tjerëve. Është gati e pabesueshme, por vetëm me 9 gjyqtarë kemi arritur, nëpërmjet një përllogaritje të kujdesshme, të formojmë 9 trupa gjyqësorë, me nga tre gjyqtarë, të cilat gjykojnë rregullisht, sipas kolegjeve dhe fushave përkatëse, në çdo ditë të javës. Kjo ngarkesë ka kërkuar angazhimin maksimal të gjyqtarëve, që pavarësisht faktit se janë zgjedhur në përbërje të kolegjeve përkatëse, kryejnë detyrën edhe si pjesë e trupave të ndryshme gjyqësore. Gjyqtarët e kësaj gjykate janë të ndergjegjshëm për përgjegjësinë që u ka takuar të mbajnë në këtë situatë të pazakontë për Gjykatën e Lartë në veçanti dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi.

Padyshim që gjyqtarët nuk mund ta realizojnë të vetëm këtë detyrë. Emërimi i 4 këshilltarëve ligjor nga KLGJ është shoqëruar me plotësimin, gjithashtu, nga Këshilli i Gjykatës së Lartë i organikës së stafit administrativ me nëpunës civilë gjyqësorë, veçanërisht në sektorin e drejtorisë së administrimit gjyqësor dhe në sektorin e teknologjisë së informacionit. Ky është viti i ngritjes të Qendrës së Dokumentacionit, një model krejt i ri dhe me pritshmëri të lartë suksesi për analizën, studimin, dokumentimin dhe publikimin tematik të vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë, që po realizohet në bashkëpunim me homologët e gjykatave të larta gjermane dhe italiane.

Përshtatja e kuadrit ligjor me nevojat dhe kërkesat e gjykimit kasacional, me fokus kryesor kthimin e Gjykatës së Lartë në gjykatë ligji dhe shkëputjen e saj nga praktika e shqyrtimit të fakteve dhe provave, kanë sjellë efekte pozitive edhe në rritjen e shpejtësisë dhe cilësisë së vendimmarrjes, të cilat priten të japin rezultate edhe më të ndjeshme në vitet në vijim. Këto ndryshime ligjore kanë rritur efektivitetin e trupës me tre gjyqtarë, kanë bërë të mundur marrjen e 7 vendimeve njësuese, ashtu si edhe shqyrtimin e vlefshmërisë së akteve normative me 5 gjyqtarë, kanë forcuar pushtetin e dhomës së këshillimit, duke rritur numrin e vendimeve që merren në këtë fazë, kanë konsoliduar rolin e gjyqtarit të vetëm në shqyrtimin e kërkesës për përjashtim, por edhe në filtrimin e rekurseve me të meta forma, ashtu siç kanë bërë efektiv ndëshkimin me gjobë të avokatëve për rekurset abuzive etj.

Sidoqoftë, paraqitja e disa statistikave kryesore mbi vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë gjatë vitit 2021 është shumë e rëndësishme për informimin e opinionit publik.

Megjithëse çështjet e reja që janë regjistruar në Gjykatën e Lartë nga 1 janari 2021 kanë arritur në 2,847 (nga të cilat 1340 civile, 547 administrative dhe 960 penale), numri prej 35,837 çështjesh që presin të gjykohen, janë drejt uljes. Lajmi i mirë është se numri i vendimeve që janë marrë gjatë vitit 2021 është më i lartë se çështjet e regjistruara. Për vitin 2021, Gjykata e Lartë ka dhënë 3,609 vendime, nga të cilat 1,182 vendime administrative, 1,336 vendime civile dhe 1,091 vendime penale. Ky numër do kishte qenë shumë më i lartë, nëse Gjykata do të kishte 9 gjyqtarët e saj nga data 1 janar, ndërkohë që deri në prill të vitit 2021 ajo ka funksionuar me vetëm 3 gjyqtarë, në periudhën prill-shtator 2021 ka funksionuar me 7 gjyqtarë dhe prej fundit të muajit shtator me 9 gjyqtarë.

Me të dhëna te tilla gjyqtarët e Gjykatës së Lartë rezulton të kenë një përqindje të evadimit të çështjeve prej 127%, një shifër mjaft e lartë, referuar standardeve të CEPEJ, gjë e cila u vlerësua pozitivisht edhe në Raportin një vjeçar të Komisionit Evropian mbi “Paketën e Zgjerimit”. Natyrisht që kjo shifër, e krahasuar me numrin e backlogut mund të konsiderohet si relative, megjithatë duhet të mbahet parasysh se ngarkesa në një vit, e një gjyqtari të Gjykatës së Lartë ka shkuar përtej çdo limiti, me mbi 500 çështje. Me gjithë numrin tepër të lartë, nuk ka kaluar pa u vlerësuar edhe cilësia e vendimmarrjes. Mjafton të analizohen vendimet njësuese (5 në fushën penale dhe 2 në fushën administrative), ashtu si edhe mjaft vendime me ndikim në publik që dëshmojnë për rritjen e besimit te kjo Gjykatë”, ka thënë ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!