Zuri vendin e Tahirit në Tiranë, Bushati: Këtë detyrë e quaj privilegj

schedule19:36 - 9 Tetor, 2020

schedule 19:36 - 9 Tetor, 2020

Një nga tre drejtuesit e fushatë së Partisë Socialistë në Tiranë Ervin Bushati ka folur në studion e ABC News me gazetarin Endri Xhafo pas asamblesë së PS e cila u zhvillua pasditen e sotme. Bushati drejton sot pikërisht atë pjesë të Tiranës që në mandatin e shkuar të socialistëve drejtohej nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Pyetur nga gazetari Endri Xhafo se si e shikon këtë paralelizim, ai tha është privilegj për të pasi është pjesë e partisë më të madhe në Shqipëri. Por a e shikon këtë si një besëtytni, duke qenë se Tahiri sot është jashtë PS? Bushati u shpreh se nuk e ka parë në këtë prizëm pasi kështu askush nuk do merrej me politikë.

“Kjo në fakt është në detyrë që e quaj privilegj dhe nder dhe e kam marrë me shumë përgjegjësi. Është partia më e madhe në vend. Ka pasur shumë njerëz që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë. Ne bëjmë punën tonë sa më mirë. Kështu i bie të mos merret asnjë me politikë. Nuk e kisha menduar”, u shpreh Ervin Bushati.

Ai foli edhe për situatën në cilën ndodhen shqiptarët sot. Bushati veçoi sfidat e pandemisë dhe tërmetin të cilat ishin goditje për ekonominë e vendit. “Ky ka qenë një vit i vështirë për shqiptarët. Është një vit që në mënyrë të çuditshme ka pasur dy tërmete dhe pandeminë. Nuk ka vend sot që të mos jetë gjunjëzuar nga pandemia. Jetojmë në një botë të ndërlidhur. Mesazhi që marrim apo ndjenja që marrim është një mesazh krenarie. Nuk ka asnjë ndjenjë pakënaqësie që mes socialistëve të ketë një peng apo hatër mbetje të madhe”, tha Bushati.

Bushati u ndal edhe te gjobat e vendosura gjatë pandemisë të cilat u falën me vendim qeverie. Ai tha se ky vendim erdhi për shkak se shkeljet nuk ishin të rënda dhe pasojat gjatë karantinës u menaxhuan mirë duke bërë një bilanc në krahasim me vendet e tjera.

“Ne e dimë shumë mirë që politika nuk është një shkencë ekzakte. U morën një sërë masash gjatë pandemisë. Duhet të kuptojmë edhe efektet psikologjike që ka pasur pandemia. Shqipëria është një vend që ka që në nëntor në gjendje të jashtëzakonshme. Masa të tilla, në Shqipëri ishin minimale. Në Spanjë ka pasur 10 mijë të arrestuar. Në Shqipëri nuk është kthyer ligji pothuajse fare. Mendoj që i kemi respektuar masat shumë mirë dhe vdekshmëria ka qenë shumë herë më e ulët se në vendet e tjera. Ne jemi 52% e votës në Tiranë, vendi i dytë është 26%. Ky është një sondazh i vitit 2017. Sot jemi akoma edhe më lart”, tha Bushati./mv. abcnews.al