Kryetari i Lidhjes Social Demokrate në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 14 qershor. Teksa prezanonte qëndrimin e koalicionit “Mundemi” të udhëhequr nga LSDM-ja në pushtet, Zaev tha se duhet shfrytëzuar stabilizimin e gjendjes me koronavirusin dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur, të mbahen zgjedhjet për të mos lejuar, siç tha, shkeljen e Kushtetutës.
Zaev tha se nëse zgjedhjet lihen për në vjeshtë ato rrezikojnë të mos mbahet për shkak të paralajmërimeve për paraqitje të valës së re të sëmundjes Covid-19, dhe për shkak të kësaj vendi do të mbetej pa institucione të qëndrueshme, por edhe që nuk do të kenë as bazë kushtetuese, pasi në dhjetor mbushen katër vjet që nga mbajtja e zgjedhjeve të fundit.
“Është mirë të mbahen në kushte të tilla sepse nuk rrezikohet shëndeti i qytetarëve, posaçërisht pasi në vjeshtë pritet valë e re. Kjo do t’i jepte mundësi shtetit që më mirë të përgatitet për valën e re, me Kuvend dhe institucione funksionale”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.


