Nuk kanë shpëtuar pa u dënuar nga Juventusi tre lojtarët që ishin të pranishëm në festën e organizuar ditën e mërkurë. Bëhet fjalë për Paulo Dybalën, Arthur Melon dhe Weston McKennien, të cilët shkelën hapur masat anti-Covid që janë për momentin në Itali.
Kujtojmë që amerikani i “Zonjës së Vjetër” organizoi një festë në shtëpinë e tij dhe fqinjët lajmëruan policinë. Tre lojtarët dhe të ftuarit e tjerë u gjobitën me nga 400 euro si masë disiplinore, por nuk ka mbaruar me kaq dënimi për ta.
Sipas raportimit të “Il Corriere dello Sport”, treshja do të gjobitet nga Juventusi dhe do të pezullohet për derbin e nesërm me Torinon. Gjithashtu, mësohet se pezullimi mund të jetë edhe më i gjatë për ta, por ende nuk është marrë një vendim final.
Ndërkohë, “Corriera della Sera” arriti të siguronte dhe një intervistë me denoncuesin, i cili mbi të gjitha është dhe juventin. “Nuk mendoj se të jesh një futbollist i famshëm të jep të drejtën të jesh mbi rregullat. Rreth orës 10:30 të darkës dola të shëtis qenin dhe pashë një varg makinash të parkuara buzë rrugës. Të gjithë personat ishin pa maska dhe më pas me disa taksi mbërritën disa vajza. Në një kohë kur festat apo darkat nuk lejohen vendosa të njoftoj policinë.
Nuk e di nëse u identifikuan që të gjithë pjesëmarrësit, mbase disa u larguan. Unë jam një tifoz i Juventusit dhe McKennie më është dukur një profesionist i vërtetë. Pikërish për këtë më vjen keq sepse në vend që të mendoj për lojën shkon dhe organizon festa të tilla”, përfundon denoncuesi./abcnews.al