Teksa prej vitesh po flitet për nevojën e një modeli të ri ekonomik në vend, të orientuar nga zhvillimi i qëndrueshëm, në hije, ai që po lulëzon është biznesi i jashtëligjshëm i kultivimit dhe më pas tregtimit të hashashit.
Në media lajmet për zbulimin apo edhe shkatërrimin e parcelave në çdo cep të vendit, raportet e institucioneve të huaja, por edhe atyre shqiptare mbi këtë dukuri po bëhen të përditshme, duke krijuar një perceptim që tashmë ky fenomen me sa duket i ripërsëritur, ka ndodhur, dhe Shqipëria është kthyer në një parcelë “jeshile”.
Kështu vetëm në dy muajt e fundit, periudha Gusht-Shtator, Policia e Shtetit në njoftimet e të saj për median pothuaj ka raportuar përditë sekuestrim të lëndëve narkotike, dhe arrestimin e personave që i kultivonin ato, por edhe ata që favorizonin kultivimin, ku këta të fundit nuk janë “kursyer për të dhënë ndihmën e tyre ndaj kultivimit”, kryepleq të zonave të thella dhe as vetë efektivët.
Vetëm nga një vështrim jo i hollësishëm, gjatë kësaj periudhe vetëm sasitë e mëdha që janë raportuar nga policia kapin shifrat e rreth 700 kg lëndë narkotike të llojit cannabis sativa përveç sasisë rekord që është kapur në javën e parë të tetorit, ku u gjetën rreth 20 mijë rrënjë cannabis sativa në rrethinat e Vlorës.
Zbulimi i tyre çoi në pezullimin nga detyra të disa efektivëve dhe oficerëve të lartë të kësaj drejtorie.
Sakaq edhe Drejtori i Policisë Kriminale Tonin Vocaj, deklaroi se edhe në zonën e Skraparit janë gjetur parcela të bimës narkotike.
Abcnews.al ka mësuar se avioni i monitorimit të territorit nga pala italiane ka identifikuar rreth 29 parcela në Skrapar.
Sipas informacioneve, mësohet se zonat ku janë asgjësuar bimë narkotike gjatë këtij sezoni janë zonat e Dukagjinit, malësia e Krujës, Tepelena, Vlora, rrethinat e Skraparit por nuk mbeten mbrapa as zonat e thella të Librazhdit, dhe zonat rurale të kryeqytetit.
Në shumicën e rasteve pas mbjelljes së hashashit në këto zona qëndrojnë grupe kriminale, por ka dhe raste kur banorë të zonës nisin rrugën e prodhimit të bimës së ndaluar.
Siç dihet kultivimi i cannabis-it vazhdimisht bëhet shkak i krimeve të ndryshme, ashtu siç ndodhi edhe në rastin e fundit në zonën e Malësisë së Madhe, ku dy të rinj u ekzekutuan pikërisht për “hesapet për bimën narkotike”.
Kryesisht trafikantët hapin toka mes pyjeve, ose në male dhe aty nisin kultivimin.
Aktualisht policia shqiptare është e angazhuar me problemin e identifikimit dhe shkatërrimit të parcelave me kanabis në gjithë vendin pasi avioni italian që fotografon terrenin ka identifikuar zonat në gjithë territorin.
Sipas Njoftimeve të Policisë gjatë muajit Gusht-Shtator:
-Policia Kufitare Bllatës në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër parandaluan dhe goditën një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike. Arrestohet në flagrancë 26 vjeçari, i cili tentoi të trafikojë 370 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
-Në 27 gusht, janë asgjësuar 1800 rrënjë canabis sativa në 50 parcela në malësinë e Krujës.
-Finalizohet me sukses operacioni antidrogë i koduar “Shtegtimi”. Sekuestrohen 65 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe bimë narkotike. Vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
-Në kudër të operacionit të gjerë të zhvilluar nga Renea, policia dhe FNSH është arrestuar një 59-vjeçar, i cili u kap me 203 kilogramë canabis sativa. Policia thotë se 59-vjeçari e kishte mbjellë drogën në fshatin Zallë, të Fushë Krujës.
-Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë. Sekuestrohen 50 kg kanabis, 2 armë gjahu (çifte), municion luftarak, fitila zjarrpërcjellës dhe sende të tjera.
-3 tetor 2020 Shkak për pezullimin e tyre dyshohet të jetë bërë fakti se nuk kanë raportuar për parcelat ku kultivohej kanabisi, të cilat u zbuluan pas kontrolleve nga ajri me helikopter. Gjatë kontrolleve janë zbuluar 10 mijë rrënjë kanabis.
N.D./abcnews.al