Zmadhohet skandali i trukimit që tronditi futbollin spanjoll

schedule13:45 - 4 Qershor, 2019

schedule 13:45 - 4 Qershor, 2019

Rriten përmasat e skandalit të trukimit në futbollin spanjoll. Plot 7 lojtarë të Vajadolidit besohet se janë përfshirë në manipulimin e ndeshjes ndaj Valencias.

Tronditja në Spanjë është e madhe. Një ndeshje e elitës, e njërës prej ligave më të mëdha të Europës dhe të gjithë botës, dyshohet fuqimisht si e trukuar nga katër persona.

Vajadolid-Valencia, që përfundoi 0-2 dhe që siguroi përfundimisht kualifikimin në Champions të skuadrës mike, mendohet se u manipulua me ndihmën e disa lojtarëve vendas, ndërsa hetimi i bujshëm po vazhdon.

Policia fillimisht ndaloi ish-lojtarin e Realit, Raul Bravo, dhe ish-lojtarin tjetër, Karlos Aranda, të cilët më pas u vendos të hetoheshin në gjendje të lirë. Mes të arrestuarve ishte edhe presidenti i klubit të Hueskës, Aguson Lasaosa, i cili tashmë ka dhënë dorëheqjen.

Edhe Hueska është mes skuadrave të dyshuara për trukim rezultatesh, sidomos për ndeshjen e humbur 2-6 në fushën e vet ndaj Valencias. Gazeta “El Mundo” titullon: Përgjimet që provojnë fajin: “Shtatë lojtarë të Vajadolidit janë të blerë”!

Sipas gazetës, hetuesit kanë 6 muaj që përgjojnë telefonatat e njerëzve të përfshirë në këtë skandal. Informacioni është që trukimi do të ishte që Valencia të fitonte pjesën e parë dhe krejt ndeshjen, ashtu siç edhe ndodhi.

Në bisedat mes tyre, manipuluesit deklaronin se trukimi do të kryhej me ndihmën e kapitenit të Vajadolidit, Borha Fernandezit, dy mbrojtësve të qendrës dhe portierit.

Sipas tyre, këta lojtarë në role kyçe mjaftonin për t’ia arritur qëllimit. Kapiteni i Vajadolidit duhej të merrte të paktën 50.000 euro për të ndihmuar trukimin, ndërsa lojtarët e tjerë më pak.

Borha Fernandez gjithashtu u arrestua nga policia dhe pastaj gjykata vendosi të hetohej gjithashtu në gjendje të lirë. Ai pohoi për mediat se nuk ishte fajtor. Kaq të sigurt ishin trukuesit për rezultatin, saqë Karlos Aranda ftoi klientë të sallonit të tij në Malaga për të vënë 10.000 euro bast, e për të fituar 20.000.

Shqetësimi në Spanjë nga skandali është tepër i madh, pasi tregon se trukimet mund të ndodhin edhe në ekipe ku paguhen miliona euro. Edhe pse Vajadolidi ka rrogat më të ulëta në La Liga, sërish klubi paguan gati 24 milionë euro në vit, që do të thotë mesatarisht më shumë se 1 milionë euro në vit për çdo futbollist.

Siç ndodh në mjaft vende të Mesdheut, duket se kjo ka të bëjë më shumë me kulturën sesa me nevojën për jetë më të mirë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!