Zjarri përfshin dy anije në Detin e Zi, 10 viktima

schedule22:02 - 21 Janar, 2019

schedule 22:02 - 21 Janar, 2019

Dy anije që lundronin në detin e Zi janë përfshirë papritur nga flakët, që u kanë marrë jetën të paktën 10 marinarëve. Ngjarja ka ndodhur në zonën detare të kontestuar mes Rusisë dhe Ukrainës.

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu dy anije tregtare që lundronin në detin e Zi, në afërsi të ngushticës së Kerçit. Sipas agjencive ruse të lajmeve, zjarri ka rënë fillimisht në një anije-cisternë që po transportonte gaz të lëngshëm dhe më pas ka përfshirë anijen e dytë, e cila po furnizohej me karburant nga cisterna. Anijet rezultojnë njëra nga Turqia, me 17 marinarë në bord dhe tjetra nga India me 14 marinarë. Disa prej tyre u hodhën në det për t’u shpëtuar flakëve dhe ekipe të marinës ruse janë vënë në kërkim të tyre, duke shpëtuar të paktën 14 vetë. Nga të dhënat paraprake rezulton se dy mjetet po lundronin në ujëra neutrale të Ngushticës së Kerçit, e kontestuar mes Rusisë dhe Ukrainës. Zona detare në fjalë ndodhet pranë gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014 dhe ku në nëntor marina ruse sekuestroi tre anije ukrainase dhe arrestoi 24 marinarët që ndodheshin në bord. Sërish vitin e kaluar, një gjykatë ruse zgjati me 3 muaj burgimin për marinarët, duke shkaktuar reagimin e Kievit zyrtar dhe Perëndimit, që më kot i kërkuan Kremlinit lirimin e tyre./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!