7 orë brenda magazinës në flakë, mister fati i punonjësit, xhaxhai: Çfarë t’i them djalit nesër? Shteti fle

schedule23:21 - 24 Mars, 2021

schedule 23:21 - 24 Mars, 2021

Ende mister fati i punonjësit të sigurisë së magazinës pranë qendrës tregtare te mbikalimi i Kamzës në Tiranë. Kur kanë kaluar më shumë se 7 orë nga momenti që u fut dhe nuk doli më nuk dihet asgjë për fatin e Arjan Sulës.

Xhaxhai i 30-vjeçarit thotë se shpresat i kanë vetëm te Zoti, pasi shteti nuk e ka bërë detyrën. I riu është prind i një djali 2 vjeç dhe kishte disa vite që punonte në sektorin e sigurisë në këtë magazinë, ndërsa tashmë ishte përgjegjës.

Xhaxhai tha se nipi është futur për të shpëtuar punonjësit e tjerë, të cilët i nxori, por në fund vetë mbeti brenda.

Dëgjohen shpërthime, flakë, tym, situata nuk është nën kontroll akoma. Urojmë perëndinë, Zotin ta kemi në anën tonë dhe të dalë shëndoshë e mirë. Me djalin nuk kemi pasur komunikim, morëm vesh që ngeli brenda, nuk doli dot.

E lajmëruan që ra zjarr, shkoi për të ndihmuar personat të dalin, por vetë nuk ka dalë. Edhe një qenie jo njerëzore po të jetë aty të dhimbset, jo një njeri 30-vjeç që e pret fëmija te shtëpia. Një djalë dyvjeçar e pret në shtëpi, cfarë do i themi nesër?

Si do i themi nesër, që nuk e gjetëm ku është? Dua që shteti të ngrihet në këmbë dhe të mos flenë gjumë. Përgjegjësit të zgjohen nga gjumi. Nuk kemi arritur të futemi dhe të kontrollojmë të gjithë zonën, thonë zjarrfikësit.  Zoti na ruajt. Arjani punonte prej shumë kohësh, ishte përgjegjës sigurie” tha ai.

Gazetari i ABC, Ermal Vija sjell pamjet nga magazina e qendrës tregtare ku ende vijon që të dalë tym dhe herë pas here riaktivizohen vatrat e zjarrit, ndërsa dëgjohen edhe shpërthime të vogla. Në operacion janë gjashtë makina zjarrfikëse, por punonjësi ende nuk është gjetur./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!