Ka ndërruar jetë në spital, punonjësi i fabrikës së tullave në Maminas, i cili mbeti i plagosur ditën e djeshme pas rënies së zjarrit. Burime nga policia bëjnë me dije se 57 vjeçari, Besnik Bojaku ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, në QSUT.
Ndërkohë, është arrestuar Bexhet Ziaj, 67 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës teknik në fabrikën e tullave në Maminas. Ky i fundit është arrestuar nën akuzën e mos respektimit të rregullave të mbrojtjes.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, ndërkohë fabrika me një investim afro 2 milion euro niste dje aktivitetin. Duket se flakët e janë stimuluar edhe nga përbërja e çatisë dhe mureve ndarëse të fabrikës, të cilat kanë qenë materiale që stimulojnë përhapjen e zjarrit.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Shijak kanë arrestuar në flagrancë shtetasin B.Z., 67 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës teknik në fabrikën e tullave në Maminas, pasi nga zjarri i rënë ditën e djeshme në këtë fabrikë, si pasojë e mos respektimit të rregullave të mbrojtjes në punë u lëndua nga zjarri shtetasi B.B., 57 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në QSUT Tiranë.
g.v/abcnews.al

