Zjarret në pyje, Dom Gjergj Meta: Ata që i vënë qëllimisht mund të djegin edhe njerëz

schedule12:22 - 3 Gusht, 2020

schedule 12:22 - 3 Gusht, 2020

Ipeshkvi i Dioqezës së Rreshenit Dom Gjergj Meta ka shprehur dhimbje dhe zemërim për djegien e disa pyjeve në vend përgjatë ditëve të fundit.

Meta thotë se dhimbja më e madhe është se ndihesh i pafuqishëm të bësh diçka, ndërsa shpreht i zemëruar edhe nga indiferenca institucionale dhe mediatike për zjarret.

“Ndjehet dhembje e madhe përballë një pylli që digjet, sidomos kur imagjinon që aty ka kafshë, bimësi, jetë të shumëllojshme që merr fund. Dëmtohet ekosistemi, dëmtohet cilësia e jetës, dëmtohen bizneset dhe turizmi. Dhimbja më e madhe është se ndjehesh i pafuqishëm të bësh diçka.

Ndërsa ndjen dhembje, ajo përzjehet me zemërimin që shkakton ideja se ekziston një qënie njerëzore që e ka vënë zjarrin qëllimisht. Ai/ajo nuk janë as më shumë as më pak se sa vrasës me pagesë, të frikshëm dhe jetojnë mes nesh çdo ditë.
Ata, apo kush i ka paguar e shtyrë, janë të aftë të djegin gjithçka, edhe njerëz.

Shkakton zemërim indiferenca institucionale dhe mediatike për zjarret në Tropojë, Malsi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Mirditë. Gjithçka për politikën, por jo për natyrën e cila po digjet.

Po e paguajmë dhe do ta paguajmë shtrenjt këtë pabesi dhe indiferencë ndaj natyrës. Po e paguajmë me pyjet që premë, me ujrat që devijuam, me mijra HEC-e nëpër çdo shkrep ku ka një burim uji, me ndotjen që po i bëjmë ambjentit në çdolloj mënyre, me ndërtimet, me shfrytëzimet pa kritere.

Në këto raste nuk ka nevojë të lëshojë njeri mallkim, sepse mallkimi është vetë natyra e djegur. Ajo klith, bërtet dhe gjëmon e ne frymorët arsyetorë do ta paguajmë shtrenjt…”, shkruan Dom Gjergj Meta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!