Zjarret në Kaliforni, evakuohen më shumë se 7 mijë shtëpi

schedule12:09 - 31 Tetor, 2019

schedule 12:09 - 31 Tetor, 2019

Kalifornia vijon të digjet pa pushim, nga veriu në jug, ku me dhjetëra vatra zjarri vështirësojnë punën e zjarrfikësve. Sipas mediave amerikane dëmet ekonomike të deritanishme janë të pallogaritshme.

Në jug të Kalifornisë, vijon të jetë gjendje e jashtëzakonshme, për herë të parë, si pasojë e zjarreve pyjore që prej ditësh kërcënojnë zona të ndryshme të shtetit, duke shkaktuar evakuimin e më shumë se 200 mijë personave, mungesë të energjisë elektrike, si dhe shkatërrime shtëpish dhe ndërtesash të tjera.

Vetëm në Los Anxheles janë evakuuar më shumë se 7 mijë shtëpi. Kontetë e prekura nga zjarri përvec Los Anxheles janë dhe Ventura dhe San Bernardino. Flakët favorizohen dhe nga era që lëviz me një shpejtësi prej 128 kilometrash në orë.

Më në veri të Los Anxheles flakët kanë shkrumbuar më shumë se 30 mijë hektarë pyje dhe kanë shkatërruar 189 ndërtesa, dhe shtëpi. Deri tani është shuar vetëm 15 për qind e zjarreve, ndërsa rreth 2 milion persona janë pa energji elektrike dhe pa gaz.

Në metropol zjarri i shpërthyer përgjatë autostradës 405 mund të kërcënojë dhe Geti Center, muzeun e famshëm që mban vepra arti shumë të cmuara. Zjarri në këtë zonë ka shkatërruar të paktën 161 hektarë terren dhe autoritetet vendore urdhëruan evakuimin e detyruar dhe mbylljen e shkollave pranë muzeut.

Në veri të Kalifornisë, zjarri i ushqyer dhe nga erëra të forta me një shpejtësi deri në 160 kilometrave në orë, ka përfshirë një zonë prej 220 kilometrash katrorë.

Një tjetër zjarr ka shpërthyer dhe në Luginën Simi në juglindje të Los Anxheles, duke detyruar autoritetet të evakuojnë librarinë presidenciale Ronald Regan. Aty janë varrosur ish presidenti amerikan dhe ish-zonja e parë Nensi Regan.

Deputetja demokrate Aleksandria Okasio Kortez u shpreh se zjarret janë dëshmi për pasojat dramatike të ndryshimeve klimatike. Ndërkohë janë më shumë se 26 milionë personat e prekur nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!