Zjarret në Hawaii, dëshmitë tronditëse të banorëve: Nuk na thanë të largoheshim  

schedule10:42 - 11 Gusht, 2023

schedule 10:42 - 11 Gusht, 2023

Hawaii është përfshirë nga zjarret që kanë shkaktuar deri më tani 53 viktima dhe kanë shkrumbuar totalisht ishullin e Maui, ndërsa dëshmitë e të mbijetuarve nga zjarret janë tronditëse.

Në të njëjtën kohë, pritet të nisë një hetim nëse autoritetet kishin marrë masa urgjente për evakuimin e resortit turistik të Lahaina, ku shumë persona treguan se si arritën t’i shpëtonin flakëve.

Kur zjarri shpërtheu të martën, zyrtarët e qarkut Maui fillimisht urdhëruan evakuime në skajin lindor të qytetit pranë një shkolle. Por brenda pak orësh, zyrtarët njoftuan përmes Facebook-ut në faqen e internetit të qarkut se zjarri ishte 100 për qind në kontroll.

Dhe për orët në vijim, ndërsa Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave të qarkut paralajmëroi njerëzit të qëndronin jashtë disa rrugëve të bllokuara, dukej se nuk kishte urdhra të mëtejshëm evakuimi.

Ndërsa zjarri u përhap me shpejtësi në Lahaina, i nxitur nga erërat e forta, zyrtarët urdhëruan njerëzit të evakuoheshin. Disa njerëz tashmë kishin arritur të largoheshin, ndërsa shumë banorë thanë se nuk kishin marrë asnjë njoftim.

Rrëfime tronditëse nga banorët që arritën të shpëtonin

I pyetur nëse ishte paralajmëruar për zjarrin, banori i Lahaina, Mark Steffl, ishte i qartë.

“Jo, dreqin,”u përgjigj Stelf, i cili tha se iku me gruan e tij kur panë flakët rreth 500 metra larg shtëpisë së tyre.

Claire Kent, e cila punon në Lahaina, tha se filloi të frikësohej rreth orës 15:30. kur pa një re tymi të zi që ngrihej dhe dëgjoi një shpërthim. Një fqinj i tha asaj se tre pika karburanti aty pranë ishin në flakë dhe e nxiti të bëhej gati për t’u larguar.

Ndërsa ajo dhe disa miq u përpoqën të dilnin nga qyteti, ajo pa njerëz që përpiqeshin të iknin në këmbë, disa që mbanin fëmijë. Edhe atëherë, tha Kent, ajo nuk kishte marrë asnjë njoftim për tu evakuuar.

Një burrë me biçikletë matanë rrugës po bërtiste: “Duhet të shkosh”.

“Nuk kishte oficerë policie me altoparlantë që u thonin njerëzve të largoheshin”.

Në të njëjtën kohë, disa banorë thanë se kishin marrë një njoftim urgjent për tu evakuuar duke ngritur pyetje se pse nuk u njoftuan të gjithë.

Kryetari i bashkisë Maui, Richard T. Bissen Jr. tha se urdhrat e evakuimit ishin lëshuar për “zonat e prekura”, duke përfshirë Lahaina, por nuk shpjegoi pse njerëzit e tjerë nuk ishin në dijeni.

Dy persona u hodhën në det për t’i shpëtuar flakëve që përfshiu Lahainën. Ata kaluan tre orë në një skelë përpara se të shpëtoheshin nga një varkë e rojes bregdetare.

“Ishte ferr. Ferr në tokë”, tha njëri prej tyre.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!